Një zjarr i madh ka përfshirë tregun e rrobave të përdorura në zonën e “5 Majit” në Tiranë, duke shkaktuar panik dhe dëme të konsiderueshme materiale. Flakët, të cilat kanë marrë përmasa të frikshme, janë përhapur me shpejtësi në të gjithë tregun.

Menjëherë pas njoftimit, forcat zjarrfikëse janë nisur drejt vendngjarjes për të bërë të mundur shuarjen e flakëve. Sipas informacioneve paraprake, nuk raportohet për persona të lënduar, por dyshohet për pasoja të mëdha materiale.

Paraprakisht mësohet se zjarri ka nisur fillimisht në një dyqan dhe më pas është përhapur në të gjithë tregun. Situata paraqitet mjaft e rrezikshme edhe për shkak se e gjithë zona është e mbuluar me kabuj elektrikë.

Gazetarja e Top Channel, Dorjana Bezat, raporton se për shkak të materialeve tekstile lehtësisht të djegshme, zjarri është tepër i vështirë për t’u vënë nën kontroll. Në vendngjarje janë përqendruar të gjitha forcat zjarrfikëse të Tiranës, si dhe janë tërhequr edhe mjete zjarrfikëse që ndodheshin në Durrës për përballimin e situatës së përmbytjeve.

Gjithashtu, mësohet se është kërkuar ndihma e ushtrisë, si dhe e forcave zjarrfikëse nga Elbasani dhe Vora, për të përballuar flakët dhe për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të zjarrit.

Autoritetet po punojnë për neutralizimin e situatës, ndërsa shkaqet e rënies së zjarrit pritet të zbardhen pas shuarjes së plotë të tij.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *