#image_title

Një tjetër verë, një tjetër skenar i njohur në qytetin e Elbasanit: flakë në malet e mbeturinave, re të mëdha tymi toksik dhe institucione të papërgatitura. Për të disatën herë në më pak se një dekadë, qyteti është përballur me ndotje masive nga djegia e plehrave, pavarësisht investimeve të mëdha publike dhe premtimeve të përsëritura për zgjidhje përfundimtare.

Zjarrfikësit kanë luftuar për mbi 24 orë me flakët në vendgrumbullimin kryesor të mbetjeve në periferi të Elbasanit, ndërkohë që shtëllunga të dendura tymi mbuluan zonat përreth, duke përkeqësuar ndjeshëm cilësinë e ajrit. Autoritetet lokale e kanë justifikuar ngjarjen me temperaturat e larta dhe tejmbushjen e zonës së depozitimit, por nuk kanë ofruar një shpjegim se përse mbeturinat nuk janë përpunuar nga impianti i ashtuquajtur “incenerator”.

Administratori i kompanisë private që menaxhon fushën, Leli Kaja, deklaroi se zjarri nuk është i qëllimshëm dhe se “po bëhen të gjitha përpjekjet për ta shuar”. Por banorët dhe aktivistët e mjedisit kanë shprehur shqetësime të përsëritura për djegie të qëllimshme të plehrave si mënyrë për të përballuar tejmbushjen e depozitës, një praktikë që përbën rrezik serioz për shëndetin publik.

Kjo situatë ka risjellë në vëmendje debatin mbi inceneratorin e Elbasanit – një projekt prej miliona eurosh që u prezantua në vitin 2016 si zgjidhja moderne që do ta çlironte qytetin nga ndotja, do të eliminonte djegien e pakontrolluar të mbetjeve dhe madje do të prodhonte energji. Megjithatë, pas hetimeve të SPAK dhe arrestimeve të disa zyrtarëve të përfshirë në aferën e inceneratorëve, projekti ka mbetur simbol i korrupsionit dhe dështimit institucional.

Kryeministri Edi Rama, i cili në inaugurimin e impiantit në 2017 e quajti “operacion shërues” dhe “burim energjie”, ka vazhduar ta mbrojë impiantin edhe pas skandaleve, duke e cilësuar një sukses në përballjen me mbetjet. Por pamjet nga zjarri i fundit tregojnë të kundërtën: tym helmues, fushë mbeturinash të pashuar dhe mungesë të plotë transparence për funksionimin e impiantit.

Ndërkohë që institucionet nuk ofrojnë as statistika të përditësuara për ndotjen apo për efektet shëndetësore afatgjata të tymit toksik, qytetarët e Elbasanit janë lënë sërish në mëshirë të fatit. Prej një dekade, ata përballen me helmim të përvitshëm, teksa qeveria i shet dështimet si histori suksesi.

By Editor