Qarku i Dibrës po përballet me një situatë të rënduar për shkak të zjarreve, të cilat kanë përfshirë disa zona të ndryshme dhe kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme në sipërfaqe pyjore.
Më e vështirë paraqitet situata në zonën e Matit, ku janë aktive disa vatra zjarri. Zonat më problematike janë Zall-Gjoça, Maja e Tolles, Mali i Allushes dhe Mali i Dejas. Në këto zona, në terren po punojnë forcat e ushtrisë dhe zjarrfikësit, të ndihmuar nga banorët vendas.
Vatra aktive janë raportuar edhe në Bulqizë – konkretisht në malin “Maja e Lepurit”, në fshatin Plan i Bardhë në bashkinë Klos, si dhe në Qafën e Buallit.
Sipas të dhënave të fundit, këto vatra janë vënë nën kontroll nga grupet e punës në terren, megjithatë qindra hektarë tokë janë djegur deri tani.