Zonja e Parë e Francës, Brigitte Macron, është përballur me kritika të forta pasi një video e publikuar së fundmi e tregon atë duke i quajtur aktivistet feministe “k***a të ndyra”, në një teatër ku po organizohej shfaqja e komedianit Ary Abitan, i akuzuar më parë për përdhunim.
Brigitte Macron i bëri komentet të dielën, pas skenës së teatrit Folies Bergère në Paris, ku ndodhej së bashku me vajzën e saj, Tiphaine Auzière, për të ndjekur shfaqjen e Abitanit.
Në videon e publikuar të hënën nga revista franceze Public, Abitani dëgjohet duke i thënë Macronit se ishte “i frikësuar” për shkak të protestave të një nate më parë. Ajo iu përgjigj me të qeshur:
“Nëse ka ndonjë ku*** të ndyrë, do t’i nxjerrim jashtë!”
Të shtunën, aktivistet feministe nga kolektivi #NousToutes kishin ndërprerë performancën e Abitanit, duke mbajtur maska me fytyrën e tij dhe me shkrimin “përdhunues”, ndërsa brohorisnin:
“Abitan përdhunues!”
Ary Abitan ishte akuzuar për përdhunim në fund të vitit 2021 nga një grua me të cilën kishte qenë në një lidhje dashurore. Pas një hetimi trevjeçar, prokurorët pushuan çështjen dhe gjykata e apelit e konfirmoi vendimin në janar. Megjithatë, rikthimi i tij në skenë vazhdon të kundërshtohet nga grupet feministe.

