Statusi i fundit i Ahmed Kalasë mbi ndarjen e parakohshme nga jeta të gazetarit Arton Turkaj është i turpshëm, i ligë dhe nxjerr lakuriq dhe një herë tjetër mendësinë e një njeriu i cili fuqinë e Zotit e sheh tek ndëshkimi e dhuna dhe jo tek falja dhe dashuria.
Uroj që Komuniteti Mysliman, ashtu i bërë pikë e pesë, të reagojë në mënyrë zyrtare duke u distancuar nga deklaratat e këtij njeriu i cili me pafuqinë e tij për t’u bërë njeri më i mirë, damkos dhe shfrytëzon pozitën e tij si klerik për të ushqyer frymën e urrejtjes ndaj një njeriu i cili mëkatin më të madh kishte humorin.
Ateistët dhe ata që bëjnë shaka me Zotin meritojnë dashurinë dhe mëshirën e tij njëjtë si çunat e Londrës dhe Dubait.
Për ta mbyllur…
Hebrenjë të vrarë në Aushvic përfundojnë në parajsë dhe aty hedhin dhe presin shaka dhe batuta me njëri-tjetrin.
Njëri i thotë tjetrit: Ishmael a të kujtohet kur rojet po të tërhiqnin zvarrë për tek dhomat e gazit dhe ti godite kokën në një gur dhe ndërrove jetë pa mbërritur tek dhomat? A nuk është pak komike kur e mendon?
Ia pret Ishmaeli: “Hahaha, çuditërisht kur e mendon po është pak qesharake. “
Ndërsa dy burrat flisnin e qeshnin ndërhyn Zoti:
“Më falni po jam pak i hutuar nga historia juaj. Domethënë shoku juaj do të kishte vdekur gjithsesi atë ditë. Nuk shoh asgjë për të qeshur këtu. Më falni, por nuk e kuptoj.”
Një nga hebrenjtë ngrihet në këmbë, afrohet tek Zoti dhe miqësisht i thotë:
“Epo sigurisht që ju nuk e kuptoni dot, sepse ju nuk ishit aty.”
U prehsh në paqe Arton Turkaj!/Besjana Lushaj