Nga Shkëlzen Halimi
Ndonëse dhemb shumë (e ndjejnë ata që e kanë të qartë dhe e dinë se çfarë do të thotë identiteti kombëtar), është një fakt i pamohueshëm: çdo hallkë e shoqërisë shqiptare sikur ka dalë jashtë normalitetit.
Akoma nuk është gjetur ilaçi për t’i trimëruar ata (pak) intelektualë që të dalin nga gëzhoja e tyre imagjinare për ta shikuar të vërtetën në sy, por edhe për të dalë nga joshja e lakmisë që zakonisht pushteti, për ta blerë heshtjen, e ofron përmes rrugëve anësore, me qëllim që ata, pra intelektualët, ta ruajnë “pavarësinë” e tyre.
Nuk është fare e vështirë kjo kur dihet se institucionet kulturore janë të varura drejtpërsëdrejti nga pushteti. A mund ta gjeni një institucion që nuk është i varur nga pushteti! Kjo varësi, e cila realisht nuk është edhe aq e dukshme, realizohet me anë të njerëzve të pushtetit, të cilët caktohen për t’i drejtuar këto institucione. Pra, sille ka ta sjellësh, akoma nuk duken në horizont mekanizmat mbrojtës nga kjo varshmëri, sepse çelësat e tyre i kanë pikërisht njerëzit e pushtetit në krye të institucioneve, të cilët me kohë e mësojnë edhe mjeshtërinë e servilizmit.
Pikërisht këta janë ata që e bëjnë tranzicionin si një fazë kalimtare pa fund, nëpër të cilën po kalon shoqëria e lodhur shqiptare. Të paktë janë ata intelektualë që kanë mendim të shëndoshë, gjykim të shëndoshë e racional. Fatkeqësisht asnjë nismë nuk arrin t’i bashkojë intelektualët e përçarë, të cilët çuditërisht strehë kanë gjetur nëpër partitë politike. Themi çuditërisht, sepse ata janë të parët që u përkulen atyre që politikën e kanë kuptuar vetëm si një trampolinë për t’u pasuruar shpejt, pa probleme dhe në mënyrën më të pandershme.
Gjithçka është e mjegulluar edhe në lëmin e kulturës. Edhe më tej mungojnë vlerat e mirëfillta që përcaktojnë identitetin e shëndoshë. “Artisti” shqiptar i partisë që u shndërrua në palaço, kulturën filloi dhe vazhdon ta trajtojë ekskluzivisht si biznes, duke u marrë me politikë servile, me intriga e shantazhe. Ndaj dhe nuk duhet te habitemi se pse kemi kaq shumë matrapazë të kulturës, të cilët interesat e veta i realizojnë vetëm duke “vajtuar” në emër të popullit. Të tillët me sukses notojnë në ujërat e pushteteve, duke qenë të përshtatshëm për çdo garniturë qeverisëse.
Zvarranikët e kulturës shqiptare bëjnë pazare në emër të patriotizmit shqiptar, në emër të kulturës shqiptare, në emër të sinqeritetit të atyre që nuk e kanë kuptuar se politika dhe intriga janë dy çështje që ushqejnë njëra tjetrin dhe që veçmas nuk mund të funksionojnë…