Nga Daut Dauti
Palestina është territor që qeveriset nga Autoriteti Palestinez (Palestinian Authority). Ky autoritet e quan veten qeveri të shtetit të Palestinës dhe ka organe edhe të përfaqësimit të jashtëm (ndërkombëtar) edhe pse kjo gjë nuk i lejohet sipas Marrëveshjes së Oslos. Disa vende nuk e njohin Palestinën si shtet për shkak se konsiderojnë se është formuar duke mos e respektuar të drejtën ndërkombëtare. Si shtesë, këto shtete konsiderojnë se Palestina nuk ka qeveri efektive e as territor të definuar ku duhet të shtrihet pushteti, siç e kërkon definicioni i të drejtës ndërkombëtare. Pasi që Izraeli ka bërë spastrim, e mban të okupuar dhe e shkatërron sa herë që dëshiron pjesën më të madhe të territorit palestinez dhe pasi që e bënë edhe qeverinë palestineze të duket joefektive, definicioni shkakton kontraverzë.
Prandaj, shumica e shteteve e kanë pranuar ekzistencën e Palestinës me një varg rezolutash të OKB-së, por jo të gjitha si shtet. Për këtë arsye, sot Palestina njihet nga 138 shtete, por nuk është saktësisht e qartë nëse njihet si shtet apo si lloj i një entiteti parashtetëror apo autonom. Po në këtë mënyrë, nga viti 2012, Palestina përfaqësohet edhe në OKB, jo si shtet, por si ‘entitet observues’ dhe ka përfaqësi diplomatike në shumicën e vendeve të botës. Në Palestinë, në qytetin Ramallah (Bregu Perëndimor), vetëm dy shtete përfaqësohen me ambasadorë (njëra është Turqia) kurse shumica e shteteve evropiane kanë konsullata.
Palestina në Londër ka përfaqësi (mission), por jo ambasadë pasi që Britania e Madhe, sikur edhe SHBA-të, nuk e njohin si shtet. Por, në Tiranë dhe Beograd, Palestina ka ambasadë, sikur në disa vende tjera të Evropës, dhe nga kjo konkludohet se këto vende e njohin Palestinën si shtet. Njësoj sikur që e njohin edhe Izraelin. Është pak si e çuditshme pse Serbia e ka njohur Palestinën për shkak se kjo gjë shkon në kundërshtim me ‘precedentin’ që ajo ka krijuar për Kosovën. Në fakt, në sferën politike dhe të së drejtës ndërkombëtare kjo duhet të shfrytëzohet si pozitive për Kosovën. Për të njejtën arsye, pra të ‘precedentin’ me Palestinën, as Izraeli nuk e njihte Kosovën. Dhe, nuk do ta njihte as sot sikur të mos ishte presioni i Trumpit ndaj Netenjahut, sikur edhe kompromisi për vendosjen e ambasadës në Jerusalem.
Kosova dhe Palestina janë shtete të reja (nëse Palestina llogaritet për shtet). Shtetet e reja, sipas traditës ndërkombëtare, nuk janë shtete që njohin, por janë shtete që kërkojnë të njihen. Tashti, cila duhet ta njeh e para tjetrën? Kosova Palestinën apo Palestina Kosovën? Dhe, mbi të gjitha, a e konsideron Kosova Palestinën shtet? Çka thonë juristët e qeverisë së Kosovës për këtë rast?
Në realitet, ky problem i njohjes së ndërsjellë është politik sepse nuk ekzistojnë pengesa faktike e as e normave ndërkombëtare. Që të dyja nuk e njohin njëra-tjetrën vetëm për shkak të Amerikës.