Ministrja serbe e Administratës Publike dhe Vetëqeverisjes Lokale, Snezhana Paunoviç, ka kërkuar falje pas reagimeve të forta që shkaktoi deklarata e saj për spastrimin etnik në Kosovë. Megjithatë, ajo nuk u kërkoi ndjesë shqiptarëve të Kosovës, por vetëm presidentit serb Aleksandar Vuçiq, Qeverisë së Serbisë dhe kryeministrit Gjuro Macut.

Në një intervistë për Informer TV, Paunoviç tha se deklarata e saj ishte keqinterpretuar dhe ishte nxjerrë jashtë kontekstit.

“I kërkoj falje presidentit Vuçiq, Qeverisë së Serbisë dhe kryeministrit Macut, për faktin se janë akuzuar pa asnjë faj”, deklaroi ajo.

Sipas ministres, nga një intervistë që zgjati rreth një orë janë shkëputur vetëm pak sekonda, duke krijuar, sipas saj, një perceptim të gabuar mbi atë që kishte thënë.

Paunoviç theksoi se kishte rrëfyer një histori personale dhe jo një qëndrim politik, duke shtuar se deklarata e saj nuk përfaqëson politikën e presidentit Vuçiq dhe as të Qeverisë së Serbisë.

Ajo komentoi gjithashtu vendimin e autoriteteve të Kosovës për t’ia ndaluar hyrjen në vend, duke e cilësuar atë paradoksal. Sipas saj, prej tre vitesh nuk lejohet të hyjë në territorin e Kosovës.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *