Tensionimi i situatës në veriun e Kosovës pas largimit të serbëve nga institucionet e vendit, ka vënë në lëvizje dhe Nato-n. Zëvendësekretari i aleancës më të madhe ushtarake në botë, Mircea Geona, theksoi se aleanca po ndjek me kujdes zhvillimet dhe se është e gatshme të ndërhyjë në çdo rast kur mund të cënohet siguria dhe stabiliteti i Kosovës. “Fola me Përfaqësuesin Special të BE-së, Miroslav Lajçak për situatën e tensionuar në veri të Kosovës. Si Beogradi ashtu edhe Prishtina duhet të tregojnë përmbajtje dhe të parandalojnë përshkallëzimin. Nato dhe Kfor-i mbeten vigjilent dhe të gatshëm për të ndërhyrë nëse rrezikohet stabiliteti.”-shkroi zyrtari i Nato-s në profilin e tij në Tuiter.