Ish i dërguari I SHBA-ve për dialogun Kosovë-Serbi, Riçard Grenëll u dekorua nga Aleksandër Vuçiç me “Urdhrin e flamurit serb të klasit të parë”.
Presidenti i Serbisë e motivoi dhënien e kësaj dekorate me argumentin se Riçard Grenëll ka mbrojtur interesat e Serbisë dhe se qëndrimet e tij në procesin e dialogut kanë qenë të drejta dhe parimore.
Grenëll nga ana e tij e vlerësoi faktin se ai është dekoruar si nga Kosova ashtu dhe nga Serbia. Në shtator të 2020-ës, ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi e dekoroi Riçard Grenëllin me “Medaljen presidenciale të meritave” për kontributin në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.
Riçard Grenëll njihet për raportin e tij konfliktual me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti të cilin vijon ta shigjetojë dhe sot kur nuk ushtron funksione publike. Në të kaluarën ai e quajti Kurtin “fashist të vogël”, ndërkohë që u investua personalisht dhe në mënyrë të hapur për rrëzimin e qeverisë “Kurti 1”.