Aplikimet për azil të shtetasve shqiptarë drejt vendeve të BE-së kanë vijuar të jenë të ulëta edhe në shtator, sipas të dhënave të fundit të Eurostat, duke u ngadalësuar ndjeshëm në raport me dy vitet e mëparshme.
Sipas Eurostat, për 9-mujorin kishte gjithsej gati 5 mijë aplikime për azil në një nga vendet e BE-së, me një rënie prej 37% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Kjo tendencë është e ndryshme nga 2022-shi dhe gjysma e dytë e vitit 2021, kur pas “pushimit” në pandemi u konstatua një shtim i ndjeshëm i tendencës së shtetasve shqiptarë për tu larguar nga vendi. Për 9 mujorin 2022, aplikimet për azil, psh, u rritën me 25% në krahasim me të njëjtën periudhë të 2021-t.
Por, pavarësisht ngadalësimit, shtatori ka shënuar një rritje të kërkesave për azil drejt Francës, që është dhe destinacioni kryesor i azilantëve për shkak të politikave më sociale që ndjek ky shtet. Në shtator kishte 230 kërkesa për azil nga shtetasit shqiptarë në Francë, nga 150 muajin e mëparshëm. Ky është dhe niveli më i lartë i kërkesave për azil në këtë shtet që nga shkurti (245).
Në të kundërt, drejt Gjermanisë tendenca ishte në rënie. Në shtator kishte vetëm 100 kërkesa për azil, nga 130 muajin e mëparshëm. Për Italinë, destinacioni i tretë më i madh pritës për azilantët, të dhënat nuk janë të disponueshme ende për shtatori, por në muajt e mëparshëm luhateshin në 90-160 në muaj.
Zvicra po bëhet një tjetër shtet ku po shtohen kërkesat, ndonëse në nivele të ulëta. Në shtator u shënua dhe niveli më i lart ëi aplikimeve me 15 të tilla, ndërsa për disa muaj radhazi numri ishte zero.
Kërkesa totale për azil në Europë
Sipas Eurostat, në muajin gusht të këtij viti 91 735 shtetas jo të BE-së aplikuan për herë të parë për mbrojtje ndërkombëtare në vendet e BE-së, një rritje prej 19% krahasuar me gushtin e vitit 2022 (77 145).
Kishte gjithashtu 5 660 aplikime përsëritëse, një rënie prej 8% krahasuar me gushtin 2022 (6 165).
Shtetasit sirianë mbeten grupi më i madh i azilkërkuesve
Ashtu si në muajt e mëparshëm, në gusht 2023, sirianët vazhduan të ishin grupi më i madh i njerëzve që kërkonin azil (18 170 aplikantë për herë të parë). Pas tyre vinin afganët (9 785), turqit (7 970), venezuelasit (4 805) dhe kolumbianët (4 665).
Gjermania, Spanja, Franca dhe Italia morën 68% të të gjithë aplikimeve për azil për herë të parë
Ngjashëm me muajt e kaluar, në gusht 2023, Gjermania (29 110), Spanja (12 075), Franca (11 495) dhe Italia (10 005) vazhduan të marrin numrin më të madh të aplikimeve për azil për herë të parë, duke përbërë 68% të të gjithë aplikimeve për herë të parë në BE.
Në gusht 2023, në të gjithë BE-në totali i aplikimeve për azil për herë të parë ishte 20.5 për 100 mijë njerëz.
Krahasuar me popullsinë e çdo vendi të BE-së (më 1 janar 2023), shkalla më e lartë e aplikantëve të regjistruar për herë të parë në gusht 2023 u regjistrua në Qipro (97.0 aplikantë për 100 mijë njerëz), e ndjekur nga Austrisë (72.4). Shkalla më e ulët u regjistrua në Hungari (0.0).
4 465 të mitur të pashoqëruar aplikojnë për azil në vendet e BE-së
4 465 të mitur të pashoqëruar aplikuan për azil për herë të parë në BE në muajin gusht, kryesisht nga Siria (1 540) dhe Afganistani (1 420). Tre vende kishin numrin më të madh të kërkesave për azil nga të mitur të pashoqëruar në muajin gusht, me në krye Gjermania (1 250), e ndjekur nga Austria (795) dhe Bullgaria (735).
Burimi: Monitor.al