Kush nuk i do udhëtimet? Në prag festash, ato bëhen zgjedhja ideale për të kaluar disa ditë me miqtë, familjarët apo partnerin.
Dhe ndonëse nëntori konsiderohet si muaj i ftohtë apo me shira, duket se shqiptarët nuk kanë menduar kështu.
Përfaqësues të “Matias Travel and Tour” thonë për “Monitor” se, rezervimet kanë qenë në nivele të kënaqshme. Kjo mund të lidhet me faktin se, shqiptarët, kanë dashur të planifikojnë një udhëtim jashtë, duke konsideruar që ditët e pushimit zyrtare janë pesë.
Agjencia ATHS shprehet për “Monitor” se interesi për të kërkuar një destinacion për këto festa nisi shpejt dhe kanë qenë kryesisht të orientuara drejt Europës, por edhe rajonit: Mali i Zi dhe Kroacia kanë qenë të preferuara.
Nga agjencia Ilirida Travel thonë se, interesime për udhëtimet jashtë kanë qenë të ulëta për shkak të aksesibilitetit të lartë tashmë më aplikacionet e kompanive të udhëtimit që ,vitet e fundit e kanë bërë më të lehtë për njerëzit të planifikojnë udhëtime vetë.
Duke marrë shkas nga kjo, tendencat për udhëtimet jashtë kanë qenë kryesisht të fokusuar në Europë dhe interesimet pranë agjencisë kanë qenë kryesisht për hotele brenda vendit: Korçë, Dardhë etj.
Edhe nga agjencia Kalemi Travel bëjnë me dije se, vendi dhe rajoni kanë qenë më të kërkuar në komunikimet që kanë pasur me klientët, ku Korça kurorëzohet si mbreti i prenotimeve.
Sa i përket udhëtimeve jashtë, në komunikim me disa nga agjencitë në vend, kryeson Italia, ku qytete ti Verona, Milano, Napoli, Roma kanë qenë të preferuara. Ofertat turistike kanë nisur me 99 euro për person, për 2 net dhe 3 ditë , akomodim me mëngjes.
Në një vëzhgim të uebsite zyrtar të operatorit të fluturimeve Wizz Air, biletat e udhëtimeve për datat 25-29 nëntor, në qytetet italiane, varionin kryesisht në 50-60 euro për person në planifikimet e hershme.
Ndërsa për ata që kanë menduar të lënë udhëtime ne minutë të fundit, çmimet janë rritur nga kërkesa e lartë, ku Roma, Milano rezultojnë me mesatarisht 300-400 euro për person, për të njëjtat data. /D.Hyka
Burimi: Monitor.al