Ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Ejup Maqedonci deklaroi se Forca e Sigurisë së Kosovës prej dy vitesh është pajisur me armatim modern.
Ai theksoi se kërcënimet e vazhdueshme nga Serbia dhe situata gjeopolitike shkaktuar nga lufta në Ukrainë kanë diktuar nevojën e rritjes së investimeve në sigurinë e vendit.
“Duke patur parasysh kërcënimet dhe mbi të gjitha synimin e kryeministrit Kurti për të forcuar aspektin e mbrojtjes dhe sigurisë, kemi një rritje të buxhetit për armatim. Vazhdojmë të bëjmë blerje strategjike dhe operacionale. Kemi sisteme antitank që janë blerë sisteme të ndryshme të armatimit, për kundërajror jemi në bashkëpunim dhe koordinim për blerjen e tyre. Të gjitha sistemet e armatimit janë sistemet e fundit të armatimit që prodhohen, janë modelet e fundit. Kemi sisteme që nuk gjenden as në rajon dhe më gjerë.”- tha ai në RTV Dukagjini.
Maqedonci po ashtu dha lajmin se organika e FSK-së do të shtohet me 600 ushtarë të rinj gjatë vitit 2024.
“600 qytetarë kanë aplikuar dhe gjysma e tyre kanë përfunduar gjatë fazës dhe gjysma aktualisht është duke u trajnuar në FSK. Pra 600 pjesëtarë do t’i kemi në FSK duke filluar nga viti 2024, shtesë, që nënkupton se i afrohemi numrit 4 mijë në total dhe 5 mijë është numri i përcaktuar për planin gjithëpërfshirës të tranzicionit.”- u shpreh ai.
Investimet e rritura të Kosovës në sektorin e mbrojtjes kanë nxitur dhe regime nga Serbia.
Aleksandër Vuçiç në disa dalje publike ka akuzuar shtetin e Turqisë se po armatos Kosovën dhe qëndron pas synimeve të saj për forcimin e mëtejshëm të kapaciteteve të saj mbrojtëse/ Besmir Lushaj