Deputetët e opozitës nuk janë lejuar të hyjnë në ambientet e Kuvendit të Shqipërisë pasi janë përplasur me forca të shumta sigurie nga Garda e Republikës.
Deputetët e përjashtuar të opozitës deklaruan se nuk njohin vendimet e kryetares së Kuvendit, Lindita Nikolla për përjashtimin e tyre, ndërsa Gazmend Bardhi u tha gazetarëve se në selinë e Kuvendit ka më shumë punonjës të Gardës se të administratës parlamentare.
Deputetët e opozitës u përpoqën të hyjnë nga dera e pasme e ndërtesës, por sërish nuk u lejuan nga punonjësit e Gardës.
Deputetët opozitare tentuan të shkallmojnë derën dhe thyen xhama.
Kuvendi ka hyrë prej disa kohësh në kaos pasi opozita nuk lejon zhvillimin normal të seancave me pretendimin se i është mohuar e drejta kushtetuese për formimin e komisioneve hetimore parlamentare.