Pedagogu dhe njëkohësisht anëtari i Kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, Elvis Hoxha analizoi disa nga zhvillimet e fundit në Kosovë duke përfshirë dhe akuzat se vendimi i qeverisë Kurti për targat ka çuar në acarimin e raporteve me SHBA-të. Sipas Hoxhës, kërkesat e partnerëve janë të paqarta dhe se mungesa e mendimit të mirëfilltë politik ka krijuar paradoksin e të paturit frikë nga aleati. “Kur nuk ka mendim, ka dëshpërim. Gjithë kjo që dëgjoj nga media dhe opozita është të krijojmë dëshpërim në popull dhe kur prodhon dëshpërim mund ta shkatërrosh politikën tënde. Nëse do të kesh forcë duhet të prodhosh të drejtën tënde. Ku u prishëm ne me amerikanët? Vërtet, kjo është qesharake. E kam dëgjuar gjithmonë këtë sikur amerikanët janë ato kalamajtë e vegjël te kopshti që ma more lodrën edhe idhnohen, edhe pastaj shkojnë pajtohen me gisht.” – u shpreh Hoxha.
Hoxha shtoi se mungesa e qartësisë politike i ka shtyrë shqiptarët që ndarjen e tyre ta shesin si projekt evropian. “Udhëheqësit tanë kanë thënë se bashkimi i shqiptarëve do të bëhët në Evropë. Janë kaq të dobët në mendim dhe imagjinatë sa nuk thanë kurrë se paqja mes shqiptarëve do të përcaktohet në Evropë. Shqiptari, nëpërmjet zërave të vet politik, fuste ndarjen e vet si projekt evropian, në vend se të thoshte se Evropa përcakton paqen mes shqiptarëve dhe serbëve. Pra, ne nuk i dhamë Evropës një fuqi në koncept dhe ajo u tall me ne.” – shtoi Hoxha.