“Idioti” është një ndër romanet më të ndërlikuara të Dostojevskit, tragjizmi i të cilit kalon përtej çdo parashikimi apo imagjinate të mendjes njerëzore. Vepra e ndarë në katër pjesë është mishërimi i parimeve krijuese të Dostojevskit, zotësia e të cilit arrin majat me rrëfimin e historisë së dhimbshme të princit fatkeq Mishkin, Rogozhonit xheloz dhe Nastasia Filipovnës vetëshkatërruese.
Tragjizmi i romanit qëndron në faktin se Mishkini, heroi i shkrimtarit, pavarësisht përpjekjeve për të mposhtur forcat armiqësore viktimë e të cilave bëhet ai vetë, nuk ia del të lumturojë personazhet e tjera, apo të përmirësojë sado pak jetët e tyre. Protagonisti, Lev Nikollajeviç Mishkin, është pasardhës i një familje të vjetër fisnikësh. Ai është biond, i ri, epileptik dhe u rikthye në Rusi pasi kishte 4 vjet që kurohej në Zvicër. Ai vishet, sillet dhe vepron si i huaj, por më e papranueshme për shoqërinë ruse ishte mosrespektimi i normave të aristokracisë.
Mishkini nuk i ndjek rregullat e shoqërisë dhe nuk ka frikë nga veprime, të cilat mund ta bëjnë të duket qesharak. Të shkuarit në shtëpitë e të tjerëve i paftuar nuk përbën turpërim për atë, dhe nëse e përqeshin ai do të qeshte bashkë me ta. Për më tepër ai është i hapur dhe i sinqertë në bisedë me të tjerët. Duke u nisur nga naiviteti i tepruar që e karakterizon princin Mishkin, të gjithë personazhet në roman e quajnë idiot. Te “IDIOTI” Dostojevski kërkon të portretizojë njeriun ideal, i cili përfaqëson të gjitha cilësitë e mira në qenien njerëzore dhe është pikërisht mirësia e tij e tepërt, që i përcakton diagnozën.
Gjatë gjithë veprës vihen përballë personazhe që i përkasin skajeve të kundërt të shoqërisë si: i pasuri me të varfrin, i bukuri me të shëmtuarin, i virtytshmi me të përulurin ndaj interesit etj etj.
Në disa fragmente është lehtësisht e dallueshme ndërgjegjja dhe mendjekthjelltësia e protagonistit, gjë që bie ndesh me përcaktimin e tij si të sëmurë. Atëherë kush është idioti i vërtetë i Dostojevskit? Të gjithë ne nga pak dhe asnjëri plotësisht.
Burimi: Hejza