Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka theksuar së rreziku i një sulmi nga Serbia mbetet evident edhe nësë do të nënshkruhej projekti franko-gjerman për normalizimin e raporteve mes dy shteteve. Kryeparlamentari shtoi se ky projekt do të ishte një hap shumë i rëndësishëm përpara për Kosovën, pasi në përmbajtjen e tij, parashihet njohja e Kosovës dhe sovranitetit të saj nga Serbia. Gjithësesi, jetësimi i këtij projekti për Konjufcën nuk është zgjidhja finale e problemit dhe nuk e shmang rrezikun e një sulmi nga Serbia. Sipas tij, Kosova duhet të tregojë maturi në këtë situatë duke investuar në ushtri dhe duke mos ushqyer iluzione për Serbinë. “Nuk duhet të futemi në iluzione. Edhe nëse Serbia e nënshkruan këtë marrëveshje, ajo mund ta sulmojë Kosovën. Ne duhet të jemi të kujdesshëm, duhet të forcojmë ushtrinë, duhet të investojmë në ushtrinë tonë. Kjo nuk e zgjidh problemin përfundimisht, por është hapi më i madh deri tash nga ’99-ta për ta zgjidhur problemin.” – tha ndër të tjera Konjufca në Klan Kosova.