Prestigjozja “Financial Times” , si çdo vit ka ofruar parashikimet për zhvillimet e pritshme për vitin e saponisur.
Parashikimi kryesor lidhet me zgjedhjet e ardhshme presidenciale në Shtetet e Bashkuara që mbahen këtë vit dhe parashikimi flet për një rizgjedhje të Xho Bajden në krye të Shtëpisë së Bardhë.
Në artikull theksohet fakti se Donald Tramp mund të dënohet penalisht në dy nga katër proceset e tij gjyqësore dhe kjo do të jetë një armë e fortë për kundërshtarët e tij në fushatë. Megjithatë, mediumi prestigjoz parashikon një garë të ngushte mes të dyve që mund të mbyllet në favor të presidentit aktual.
Lidhur me konfliktin mes Izraelit dhe Palestinës, ky medium e sheh të pamundur zgjerimin e luftës pasi vendet e tjera nuk duket të kenë as vullnetin politik dhe as infrastruturën e duhur ushtarake për të nisur një luftë me Izraelin.
“Financial Times” shkruan po ashtu se ky mund të jetë viti i falimentit për Tuiterin e njohur si platforma X.
Artikulli vlerëson se strategjitë e reklamimit të kësaj platforme po japin gjithnjë dhe më pak rezultate dhe kjo është manifestuar dhe në shpërthimet e shpeshta emocionale të Elon Mask i cili po luan kartën e falimentit me dy synime: Për të motivuar punonjësit dhe për të ushtruar presion mbi reklamuesit, por rreziku i falimentit mbetet i lartë.