Autoritet e Serbisë e refuzuan kërkesën e ministrit të Brendshëm të Kosovës, Xhelal Sveçla për të vizituar tre komunat shqiptare në Luginën e Preshevës gje e cila solli dhe reagimin e këtij të fundit.
Sveçla tha se ky refuzim është treguesi i radhës se Serbia nuk dëshiron avancim të raporteve mes dy shteteve teksa shtoi se Kosova do t’i përgjigjet këtij refuzimi me reciprocitet.
“Ky akt i Serbisë ndaj vizitës sime dëshmon qasjen destruktive dhe shtypjen e vazhdueshme të saj ndaj shqiptarëve të Luginës. Ky refuzim pa asnjë arsyetim nga Serbia disa orë para realizimit të vizitës, nuk zbeh qëllimet dhe angazhimin tonë për shqiptarët e Luginës. Ndër të tjera, nuk do të zbeh as dëshirën dhe qëllimin tim për realizim të vizitës atje, për të ndarë me shqiptarët e Luginës shqetësimet e padrejtësitë me të cilat ata ballafaqohen dhe angazhimet e institucioneve të Republikës sonë për ta.”- ka thënë ai.