Nga Arbër Zaimi

Politikani serb Nikolla Sanduloviq u rrëmbye sot nga shërbimet shtetërore serbe e u rrah mizorisht, për shkak se ai u kishte kërkuar falje shqiptarëve për krimet e bëra nga shteti serb në kohë të Milosheviqit.

Ai nderoi Jasharët, dhe kërkoi falje për krimet në emër të atyre serbëve që nuk i patën mbështetur ato krime. Nikolla Sanduloviqi publikisht angazhohet për paqe me shqiptarët e njohje të Kosovës.

Por ja që pushtetin në Serbi e kanë ata që kanë mbështetur ato krime, me në krye Vuçiqin që ka qenë ministër propagande i Milosheviqit. Institucionet e sigurisë, ushtria e policia, por edhe mediat e shumë biznese serbe kontrollohen nga njerëz që dëshirojnë përsëritjen e atyre krimeve. Siç e tha edhe vetë presidenti Vuçiq, ata presin momentin kur ekuilibri politik ndërkombëtar të ndryshojë, që të rikthehen në Kosovë për ta mbaruar punën e Milosheviqit.

Këta njerëz e rrëmbyen dhe e rrahën deri pranë vdekjes Sanduloviqin. Nuk e kanë vrarë, sepse janë të interesuar që Sanduloviqi ta tregojë vuajtjen e vet, që të tjerët të mos guxojnë të mbajnë qëndrime të tilla. Sot në Serbi i lirë je vetëm nëse urren Kosovën, Bosnjën, dhe gjithë viktimat e dikurshme të racizmit serb.

Rrahja e Sanduloviqit nuk është rast i rrallë e i izoluar. Mbani mend rrahjen e djalit minoren të ministrit serb të Kosovës, Nenad Rashiqit? Apo rrahjet e taksistëve serbë të Kosovës që regjistruan makinat me targa kosovare? Janë të njëjtët porositës, e njëjta ideologji. Janë ata që vranë kryeministrin serb Gjingjiqin, apo ata që vranë politikanin serb të Kosovës, Ivanoviqin, i cili nuk ishte aspak engjëll për shqiptarët e megjithatë u vra vetëm kur doli nga kontrolli i fashistëve të Beogradit.

Sa ndryshe është Kosova, sa ndryshe janë shqiptarët, këtë e tregon fakti se ka shqiptarë (ish ose jo ish) bashkëpunëtorë me regjimet dhe institucionet e represionit serb, të cilët zotërojnë edhe media e biznese në Kosovë e Shqipëri, të cilët haptazi bëjnë fushatë pro-Vuçiq, e megjithatë nuk i cënon askush sepse askush nuk ka të drejtë t’i cënojë.

Sa më të butë tregohen Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian me Serbinë, aq më fashiste bëhet Serbia, aq më shumë afrohet ajo me Rusinë. Paqartësia në udhëheqje që rrezatohet herëpashere nga diplomatë si C. Hill e M. Lajcak por jo vetëm, krijon hapësirë për ata që duan të rikthejnë konfliktet, spastrimet, racizmin dhe pushtimin në rajonin tonë.

Rrahja e Sanduloviqit është e lidhur me sulmin terrorist në Banjska, jo vetëm për shkak të pjesëmarrjes së kriminelit terrorist Millan Radojiçiq në të dyja rastet, por edhe për shkak se u organizuan nga mendja e njëjtë. Ajo mendje do të vazhdojë të organizojë probleme, për sa kohë që Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian nuk tregohen të prera për t’i treguar ku janë kufijtë – ato territorialë, por edhe ato të vlerave, të demokracisë e të drejtave të njeriut që nuk guxojnë të shkelen kësisoj, jo pa sanksione.

Ekziston mundësia në Serbi për njohje të Kosovës dhe paqe në rajon. Ajo mundësi mbytet nga mbështetja e hapur apo e heshtur, ose nga mbyllja e syve dhe e veshëve, për politikanët mafiozë e fashistë.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *