Tatimet kanë njoftuar të gjithë personat që klasifikohen si profesione të lira se do të duhet të fillojnë të bëjnë deklarimet mujore si të listëpagesave, ashtu dhe të tatimit mbi të ardhurat personale.
Ndryshimi vjen pas hyrjes në fuqi të ligjit të ri të tatimit mbi të ardhurat, i cili futi në skemë profesionet e lira, të cilat do të duhet të paguajnë nga 1 janari nga 15-23% tatim mbi fitimet e njohura.
Ndërsa më parë, profesionistët e lirë, që ishin regjistruar si biznes i vogël i bënin deklarimet e listëpagesës një herë në tre muaj, tashmë ata duhet ta bëjnë deklarimin çdo muaj. I njëjti afat, çdo muaj vlen dhe për pagesën e kontributeve të sigurimeve shoqërore, shëndetësore dhe të tatimit mbi të ardhurat nga punësimi.
Afati për dorëzimin e listëpagesës dhe kryerjes së pagesës është data 20 e muajit vijues. Deklarimi i parë është listë pagesa e muajit janar, me afat deri në shkurt 2024.
Tatimet paralajmërojnë se nëse nuk respektohen këto afate ligjore, kjo do të përbëjë shkelje tatimore dhe do të dënohen me masë administrative.
Ligji prek 29 mijë profesionistë të lirë
Nga 1 janari ka nisur zbatimi i tatimit progresiv me normat tatimore 15% dhe 23% për të vetëpunësuarit, personat fizikë dhe tregtarë të shërbimeve të profesioneve të lira.
Në total, sipas Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, në regjimin e ri tatimor do të përfshihen deri në 29 mijë biznese të profesioneve të lira. MFE llogarit se deri 90% e totalit të bizneseve (të ndarë sipas 3 kategorive, si: të vetëpunësuarit, personat fizikë dhe tregtarë) përfshihen në fashën e të ardhurave vjetore deri në 14 milionë lekë në vit që do të tatohen me normë 15%.
Në listën e profesioneve të lira u përfshinë aktivitetet e shërbimeve të IT, të kontabilitetit, avokatët, arsimin, mjekët, pasuritë e paluajtshme, agjencitë e lajmeve, agjencitë e punësimit, të sportit operatorët turistikë etj.
Shembujt si do llogaritet tatimi
Tatimi 15% për fashën e parë të bizneseve me të ardhura vjetore deri 14,000,000 lekë në vit sipas Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë do të llogaritet mbi fitimin, pas zbritjes së shpenzimeve dhe të ardhurave të pagës minimale ndaj totalit të të ardhurave vjetore.
Për profesionet e lira të përcaktuar sipas listës të vendimit “Për dispozitat zbatuese të ligjit nr. 29/2023, “Për tatimin mbi të ardhurat” me të ardhura vjetore deri 14 milionë lekë në vit shpenzimet e zbritshme fikse të padeklaruara në kontabilitet njihen në vlerën 30%.
Për shembull. Nëse një biznes ofrues i shërbimeve të profesioneve të lira me të ardhura vjetore 10,000,000 lekë- 30% shpenzime- 40,000 lekë të ardhurat nga paga minimale do të ketë 6,960,000 lekë fitim të deklaruar.
Fitimi që do të deklarohet pas zbritjes së shpenzimeve dhe të ardhurave të pagës minimale do të taksohet 15%. Në total detyrimi vjetor i tatimit mbi të ardhurat për biznesin me të ardhura vjetore 10,000,000 lekë është 1,044,000 lekë.
Kategoria tjetër e bizneseve që përfshihen në të ardhurat vjetore mbi 14 milionë lekë kanë detyrimin e deklarimit të shpenzimeve vjetore pranë administratës tatimore, ndryshe nga fashë e parë që u njihen shpenzime fikse apo të pambajtura në kontabilitet në masën 30%. Pas zbritjes së shpenzimeve të deklaruara në administratën tatimore fitimi i kësaj kategorie do të tatohet me normën tatimore 23%.
Ministria e Financave dhe Ekonomisë llogarit se 70-80 deri 90% e totalit të bizneseve (duke përfshirë 3 kategoritë e tyre të vetëpunësuarit, personat fizikë dhe tregtar) janë me të ardhura vjetore deri 14 milionë lekë në vit.
Burimi: Monitor.al