Nga Alberto Gentili botuar në “Huffington Post”
Giorgia Meloni nuk është tipi që ndalet me pengesën e parë që ndesh. “Kur vendos diçka në kokën time, e realizoj atë, pavarësisht kostos”- ka deklaruar ajo. Dhe ndër gjërat që ka më shumë për zemër kryeministrja është ndërtimi në Shqipëri i dy kampeve për emigrantët, pikërisht në prag të zgjedhjeve të 9 qershorit për në Parlamentin Evropian.
Objektivi: të tregojë se ekziston një mënyrë “për të ngritur një pengesë kundër zbarkimeve”. Kjo është Thembra e vërtetë e Akilit, kali i betejës si për Fratelli d’Italia dhe Lega-n, që premtuan gjatë fushatës së tyre populiste të ndalonin njëherë e përgjithmonë flukset e njerëzve të dëshpëruar.
Kështu pasditen e së enjtes, pas një marshimi me ritme frenetike, Komisioni i Çështjeve Kushtetuese të Dhomës së Ulët të parlamentit do ta shqyrtojë në një kohë rekord këtë çështje dhe brenda datës 22 janar, do të çojë në seancë plenare projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes së firmosur më 6 nëntor 2023 nga Meloni së bashku me kryeministrin shqiptar Edi Rama.
“Do ta shihni se falë procedurës emergjente të zbatuar, kampet do të jenë gati brenda afatit të caktuar nga qeveria”- siguron Sara Kelani, menaxhere e çështjeve të migracionit në partinë Fratelli d’Italia dhe anëtare e Komisionit. Por ka ende shumë të panjohura mbi planin që ka Meloni për zbatimin e këtij pakti.
E para vjen nga Tirana, ku Gjykata Kushtetuese vendosi më 13 dhjetor të pezullojë marrëveshjen me Italinë. “Kjo ndodhi për gjoja një të metë formale, sepse nuk është kërkuar mendimi i Presidentit të Republikës. Por gjithçka do të zgjidhet. Ndoshta që më 18 janar, por maksimumi në mars do të vijë drita jeshile”- garanton Kelani.
Ndoshta! E sigurt është se e qetësuar nga miku i saj Rama për ‘po’-në e Gjykatës Kushtetutese të Shqipërisë, Meloni po ecën përpara me shumë shpejtësi në lidhje më këtë marrëveshje. Pavarësisht protestës së opozitës shqiptare, ajo përdori “procedurën e urgjencës” për marrëveshjen me Tiranën (maksimumi 30 ditë shqyrtim në komision, dhe më pas menjëherë në seancë për votimin përfundimtar).
Dhe kjo ka sjellë ato që Riccardo Magi i partisë +Europa i përkufizon si “seanca dëgjimore të nxituara dhe të sikletshme: vetëm 5 minuta kohë në dispozocion për konstitucionalistët dhe ekspertët”. Për më tepër, janë seanca dëgjimore nga të cilat del se projekti kaq shumë i dashur për qeverinë italiane në realitet “është i pazbatueshëm”.
Me pak fjalë, është duke u rrëzua premtimi i Melonit për të ndërtuar një kamp refugjatësh në portin shqiptar të Shëngjinit, dhe një kamp paraburgimi në Gjadër brenda muajit maj.
Paolo Bonetti, profesor i së drejtës kushtetuese në Universitetin Bicocca në Milano, renditi në seancën dëgjimore “shembuj të ndryshëm të paligjshmërisë”, përfshirë “diskriminimin e paarsyeshëm në trajtim” midis emigrantëve që zbarkojnë në Itali dhe atyre që shpëtohen nga anijet ushtarake italiane dhe dërgohen më pas në Shqipëri.
Ai e këshilloi parlamentin “të mos e miratojë marrëveshjen”. “Pakti përmban shumë pika që janë të paligjshme në raport me ligjin evropian. Do të ketë shumë padi nëpër gjykata”- paralajmëroi ai. Pak a shumë kjo është ajo çfarë rekomandon edhe Paola Favilli, profesoreshë e së drejtës së Bashkimit Evropian në Universitetin e Firences.
Alarmi kryesor ka të bëjë me zbatueshmërinë e marrëveshjes. Ku do të identifikohen emigrantët e shpëtuar në det? Tek anijet ushtarake italiane apo në kampin e Shëngjinit? A do të transportohen në fillim “të pambrojturit”, gratë shtatzëna, fëmijët në Shqipëri, dhe më
pas do të sillen në Itali?
Sa kohë do të qëndrojnë në kampet shqiptare? Në fillim u fol për maksimumi 30 ditë, pastaj për 18 muaj, duke ulur ndjeshëm vlerësimin për 39 mijë emigrantëve që do të akomodohen në Gjadër në vit. “Dhe çfarë do të ndodhë kur një emigrant do të apelojë kundër qëndrimit atje. A do të sigurojë qeveria jonë praninë e avokatëve italianë në Shqipëri?”- pyet Magi.
Për të mos përmendur faktin që janë shpallur dhjetëra e dhjetëra raste shkeljeje: “Përputhshmëria e protokollit me ligjin evropian nuk është aspak e garantuar dhe në shumicën e rasteve është e pamundur të arrihet”- thotë përfaqësuesi i +Europa. Nuk është rastësi që Komisionerja Evropiane për Emigracionin, Ylva Johansson, u tregua e kujdesshme për të mos raportuar në KE.
Pra ka shumë gjasa që 2 kampet shqiptare (nëse do të ndërtohen ndonjëherë) të bllokohen nga gjyqtarët italianë. Diçka e ngjashme me atë që i ka ndodhur një miku tjetër të Melonit: Rishi Sunak. Kryeministri britanik arriti një marrëveshje për të “shpërndarë” emigrantët e paligjshëm në Ruanda, dhe nisi t’i paguajë miliona e miliona euro vendit afrikan.
Por për shkak të ndalimit nga Gjykata e Lartë e Anglisë, asnjë emigrant ilegal nuk është larguar ende nga territori britanik. Së fundi, është edhe çështja e mprehtë e shpenzimeve të nevojshme për ndërtimin e dy kampeve në Shqipëri.
Profesor Bonetti foli në seancë për “kosto të nënvlerësuara, të cilat janë shumë më të larta se ato që supozohen”. Dhe nëse fillimisht u fol për “disa milionë” euro për të ndërtuar dhe menaxhuar dy kampet, tani flitet për qindra e qindra milionë: 89 milionë këtë vit, dhe 480 milionë euro për 4 vitet në vijim.
Plus 40 milionë për ndërtimin e strukturave, 8 milionë për pajisjet teknologjike, 30 milionë të tjera për tarifa të ndryshme, dhe 16.5 milionë euro që duhet t’i jepen menjëherë Tiranës. Për të mos folur për një fond garancie prej 100 milionë eurosh, për çdo shpenzim të bërë nga shqiptarët.
Dhe këtu nuk janë llogaritur ende shpenzimet për personelin mjekësor, avokatët, gjykatësit dhe policët që do të duhet të udhëtojnë vazhdimisht midis Italisë dhe Shqipërisë. Në çdo rast, shifra është e jashtëzakonshme, të pakën 10 herë më e lartë se ajo që do të kërkonte ndërtimi i kampeve të tilla në Itali. Me pak fjalë, fitorja Melonit në zgjedhje do t’u kushtojë shumë shtrenjtë italianëve. Dhe mbi të gjitha, mbetet të presim dhe të shohim nëse plani do të funksionojë./Dosja.al