Ka zgjatur vetëm 13 minuta rinisja e sesionit të ri parlamentar me opozitën që protestoi sërish për praninë e forcave të gardës brenda sallës së Kuvendit.
Në seancë u votëbesuan dhe dy ministrat e rinj të kabinetit Rama, Blendi Gonxhes ne ministrinë për Ekonominë, Kulturën dhe Inovacionin dhe Adea Pideni si ministre e Shtetit për Administratën dhe Anti-Korrupsionin.
Sakaq, deputeti Lulzim Basha paralajmëroi se ai dhe mbështetësit e tij mund të bashkojnë votat me shumicën për Reformën Zgjedhore e cila sipas Bashës do të mundësojë listat e hapura të përfaqësimit.
Ky qëndrim i Bashës u pasua nga një takim mes dy bashkëkryetarëve të Komisionit për Reformën Zgjedhore, Damian Gjiknuri dhe Enkelejd Alibeaj.
Të dy përfaqësuesit dërguan dhe një letër të përbashkët për misionin e OSBE/ODHIR.
Letra e plotë:
Na lejoni fillimisht të shprehim falenderimet dhe mirënjohjen e thellë për kontributin që OSBE/ODIHR ka dhënë gjatë këtyre viteve për zhvillimin dhe konsolidimin e demokracisë në Shqipëri dhe në mënyrë të veçantë në një prej themeleve të rëndësishme të saj, siç janë zgjedhjet. Me vendimin nr. 12, datë 10.02.2022, të ndryshuar, Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar ngritjen e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për realizimin e Reformës Zgjedhore. Komisioni ka për detyrë hartimin e ndryshimeve legjislative për reformën zgjedhore, në veçanti trajtimin e rekomandimeve të raporteve të OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet e 25 Prillit 2021 dhe për zgjedhjet e mëparshme të patrajtuara, rekomandimeve të institucioneve përgjegjëse për zgjedhjet, të partive politike parlamentare dhe organizatave jofitimprurëse.
Për këtë arsye, ashtu siç ramë dakord me përfaqësues të OSBE/ODIHR-it në takimin e zhvilluar në Dhjetor 2023, ku diskutuam punën e Komisionit dhe nevojën që pranë Komisionit të vendoset në dispozicion ekspertiza e ODIHR-it, kemi kënaqësinë që në emër të Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Realizimin e Reformës Zgjedhore t’ju paraqesim kërkesën për të kontribuuar me ekspertë të fushës së zgjedhjeve, të ODIHR-it, për të asistuar punën e këtij Komisioni. Mënyra e komunikimit të ekspertëve të caktuar nga ju, me Komisionin e Reformës Zgjedhore, mund të përcaktohet në vijim të bashkëpunimit tonë të mëtejshëm. Duke ju falenderuar paraprakisht për gatishmërinë dhe bashkëpunimin tuaj, Sinqerisht,