I dërguari i SHBA-ve për Ballkanin, Gabriel Eskobar, ritheksoi sërish kërkesën që Kosova të formojë Asosacionin e komuave me shumicë serbe dhe të shtyjë afatin për targat sipas kërkesës së aleatëve. Eskobar bëri të ditur se SHBA-të nuk do të tërhiqen nga këto kërkesa, pavarësisht rezultave të zgjedhjeve për përfaqësimin në Senat dhe Kongres që po mbahen në vendin e tij. “Ne kemi qenë shumë të qartë dhe të hapur se çfarë presim nga të dyja palët. Nga pala e Kosovës kemi kërkuar një periudhë njëvjeçare të zbatimit për të bërë një fushatë publike të njoftimit dhe për të përgatitur komunitetin e prekur, që të jetë i gatshëm të ndërrojë targat e makinave. Ne po ashtu po u bëjmë thirrje që të fillojnë ta vënë çështjen e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në rend dite. Nga pikëpamja jonë dhe ajo e partnerëve të Quintit, kjo është një kërkesë dhe ne do të ngulim këmbë për zbatimin e saj. Nga pala serbe, ne mendojmë se çdo protestë duhet të jetë paqësore dhe largimi i serbëve nga institucionet nuk është i dobishëm.” – tha Eskobar në një intervistë për Zërin e Amerikës.
Kërkesa e përsëritur e Eskobar për formimin e Asosacionit vjen menjëherë pas zbardhjes së projektit franko-gjerman për dialogun Kosovë-Serbi, ku çështja e Asosacionit nuk ishte pjesë e draftit prej nëntë pikash.