Fundjava shënoi protesta masive në disa qytete të Gjermanisë kundër politikave të partisë Alternativa për Gjermaninë (AfD) që parashikojnë dëbimin e miliona emigrantëve nga Gjermania, përfshirë dhe ata me pasaportë gjermane.
Mijëra qytetarë dolën në sheshet e Hamburgut, Frankfurtit, Dortmundit, Këlnit, Berlinit dhe Mynihut.
Protesta pati dhe në disa qytete të lindjes si Kotbus, Dresden dhe Kemnitz, qytete në të cilat AFD-ja gëzon mbështetje të konsiderueshme.
Protestat vijnë pasi mediat vendase publikuan një takim të nëntorit të vitit 2023 mbajtur në Potsdam ku përfaqësues të AFD-së dhe një fraksion i CDU-së diskutuan për plane konkrete lidhur me dëbimin e miliona emigrantëve nga Gjermania.
Presidenti gjerman, Frank Valter Shtajnmajer mbështeti publikisht protestat duke i cilësuar si angazhim në mbrojtjen e kushtetutës dhe republikës.