Vendimi I Gjykatës Kushtetuese përcakton vendosjen e afateve të reja për studentët e mjekësisë lidhur me periudhën që ata duhet të punojnë në Shqipëri pas diplomimit.
Gjykata u është referuar legjislacioneve të vendeve të tjera ku specifikohet se kjo periudhë qëndrimi në vendin ku je diplomuar nuk mund të jetë më shumë se gjysma e viteve të studimit.
Sipas vendimit, Kuvendit të Shqipërisë i jepen 3 muaj afat për të propozuar afatet e reja në përputhje me rekomandimet e gjykatës.
“Gjykata Kushtetuese e mbledhur sot, më 25.01.2024, vlerësoi se dispozitat e kundërshtuara sjellin kufizim të të drejtave për arsim dhe punësim, të garantuara nga nenet 49 dhe 57 të Kushtetutës. Kufizimi është vendosur me ligj dhe për interes publik, i cili lidhet me detyrimin e shtetit për të garantuar kujdes shëndetësor ndaj shtetasve, të parashikuar nga neni 55 i Kushtetutës. Megjithatë gjatë procesit nuk u provua se kufizimi është proporcional në drejtim të afateve dhe kohëzgjatjes së shlyerjes së detyrimeve për punësim, pasi afati 5-vjeçar i parashikuar nga neni 4 i ligjit rezulton më i ashpër se sa nevoja për të përmbushur objektivin legjitim. Duke u nisur nga premisa që afati 5-vjeçar nuk është proporcional dhe duke marrë në konsideratë eksperiencën e vendeve të tjera, ku ky afat nuk tejkalon gjysmën e kohëzgjatjes së studimeve, u gjykua që të rishikohen edhe afatet e tjera 3-vjeçare dhe 2-vjeçare të përcaktuara në të njëjtin nen.
Në kuadër të testit të proporcionalitetit, Gjykata ka konstatuar, gjithashtu, se neni 6 i ligjit ka ometim ligjor. Ometimi ka të bëjë me mungesën e kritereve objektive të punësimit me prioritet, trajtimin financiar në kuadër të sigurimit të mjeteve të nevojshme të jetesës, sipas nenit 49 të Kushtetutës, si dhe përllogaritjen e periudhës në pritje në kohëzgjatjen e detyrimit për punësim. Gjykata e analizoi çështjen edhe në këndvështrimin e parimit të sigurisë juridike dhe të barazisë para ligjit. Masa e pezullimit e vendosur nga Gjykata në datën 14.11.2023 hiqet për shkak të vendimmarrjes së sotme. Duke pasur në konsideratë që, nga njëra anë, ligji në tërësinë e tij duhet të fillojë të prodhojë efekte para përfundimit të këtij vitit akademik, por, nga ana tjetër, dispozitat që duhen shfuqizuar i bëjnë të pazbatueshme marrëveshjet me studentët, Gjykata vlerësoi t’i caktojë Kuvendit detyrimin që brenda 3 muajve të miratojë ndryshimet e nevojshme ligjore.” – thuhet në vendimin e gjykatës.