Nga Bajram Mjeku
I qetë dhe i tërhequr, shkrimtar brilant e modernist i shquar, ai dukej sikur që nga lindja kishte lidhur paqe me vetminë.
Që nga fëmijëria, kam patur ndjesi të çuditshme për bardin e poezisë shqiptare Lasgush Poradeci dhe modernistin më të mirë të prozës shqiptare, Anton Pashku. Kisha njëfarë ndjesie sikur që të dy kanë ndërruar jetë në gjysmën e parë të shekullit të kaluar! Megjithëse të parin nuk e kam parë asnjëherë për së gjalli, të dytin edhe pse e kam njohur, kam patur të njëjtën ndjesi. Ndoshta pse jam impresionuar aq shumë me veprën e tij, apo edhe për faktin se Pashkun gjithmonë e kam parë veshur në të zeza, me gishtrinjët e zverdhur nga nikotina e cigares dhe i mbyllur në mbretërinë e vetmisë.
Në vitin 1990, kisha përmbyllur dorëshkrimin e librit të parë dhe po e dërgoja në Redaksinë e botimeve “Rilindja”. Redaktori dhe poeti i ndjerë Ali Podrimja nuk gjendej në zyrë dhe derisa po kthehesha, papritur u shfaq Pashku. Mori dorëshkrimin dhe e vuri në sirtar me kujdesin më të madh, pastaj kërkoi të pinim kafe. Mbeta i shtangur. Veten e konsideroja të padenjë të pija kafe me Pashkun. Me vite të tëra më ka provokuar mënyra si është shkruar romani OH dhe tash kisha fatin ta dëgjoja nga vetë autori. Ai më foli me delikatesë për romanin dhe mënyrën e krijimit. Fliste për “gatimin” e romanit, ashtu siç babai dhe gjyshërit e tij kishin gatuar në zanatin e bukëpjekësit. Ishin vitet tetëdhjetë, kur kishim kuptuar se veprat e Pashkut lexoheshin me pasion në Shqipërinë staliniste. Dukej sikur shkrimtarët shqiptarë, përmes veprës së Pashkut i thonin regjimit: “Mjaft më me socrealizëm, është koha për modernizëm!”.
Anton Pashku kishte mbaruar vetëm Gjimnazin klasik në Prishtinë dhe ishte dëshmia më e mirë se zeja e shkrimit, dallon me të bërit shkollë, prandaj Arti është dhunti e Zotit.
Vitet e okupimit ishin të rënda, por edhe më i rëndë për shkrimtarët e formatit Anton Pashku. Shumë shkrimtarë i kemi parë tek rishkruanin dorëshkrimet e anonimusëve, thjeshtë për të siguruar ekzistencën!
Herën e fundit, me Pashkun jam takuar në shtator të vitit 1994 në Prishtinë. Kishte rënë shumë nga shëndeti, por që nuk jepej për asgjë.
Ditën kur ndërroi jetë më 31 tetor të vitit 1995 e kam gjithmonë në kujtesë. Ishte ditë e vranët dhe e butë. Kur trupi i mjeshtrit të madh u nis drejt banesës së përbotshme, zymtësia e asaj dite sikur i shkonte veshjes së tij në të zeza dhe mbretërisë së vetmisë.