Publicisti Veton Surroi ka deklaruar se deputetët që, përmes moszgjedhjes së presidentit, e çojnë vendin drejt zgjedhjeve të parakohshme, do të mbajnë përgjegjësinë politike për këtë situatë.
Në një shkrim në Facebook, ku ka dhënë disa sugjerime lidhur me krizën aktuale politike, Surroi ka theksuar se deputetët duhet t’i shfrytëzojnë deri në fund të gjitha mekanizmat ligjorë dhe kushtetues për zgjedhjen e presidentit të vendit. Sipas tij, kjo është një detyrim i drejtpërdrejtë i Kuvendit.
“Asnjë arsyetim për mosushtrimin e obligimit nga ana e deputetëve nuk mund të ketë peshë më të madhe sesa përgjegjësia për çuarjen e vendit në zgjedhje të parakohshme. Deputetët që e çojnë vendin në zgjedhje të parakohshme do ta mbajnë barrën e përgjegjësisë për këtë”, ka shkruar ai.
Deklarata e Surroit vjen në një kohë kur procesi për zgjedhjen e presidentit mbetet i bllokuar, ndërsa partitë politike nuk kanë arritur ende një marrëveshje për emrin e kandidatit që do të siguronte shumicën e nevojshme në Kuvend.
