Nga Besjana Lushaj
Interesi im, por dhe i shumë të tjerëve si unë, për të ndjekur gjyqin e të akuzuarve për rastin e familjes Meta është zero. Nuk ka gjë më të thjeshtë, por dhe me të pështirë, të bësh spektakël mbi një ngjarje të tillë. Halla, tezja, komshiu, dhe kamarieri rakishërbyes u shprehën mbi motivet e mundshme të ngjarjes. Eksperti, gazetarja dhe një avokat, që as nuk ka parë gjë me sytë e tij, përfshirë këtu dhe provat, iu bashkangjitën teatrit.
S’ka si të mungojë aty eksperti i gjithëditur i skandalizuar nga akti makabër i kryer në mënyrë krejt gjakftohtë. Fillon eksperti tjerr lesh – ngatërron më ose pa qëllim sociopatinë me psikopatinë – xhonglon me rastin sipas orekseve të medias që ia rehaton prapanicën çdo dy ditë në primetime. Kur eksperti bie në nivelin e kamarierit, përse të mos ngrihet kamarieri në nivelin e ekspertit?!
Qeshi vajza apo nuk qeshi? Çfarë mendon halla për çunin? Hallat janë më të besueshmet në këto raste bashkë me tezet. A e përdhunoi babi vajzën?
Një tufë rrogëtarësh që hidhen në gjueti shtrigash, përndjekin dhe intervistojnë disa fakirë të këputur nga jeta, që rrethanat dhe pafuqia e tyre ua sollën për pjesë të bëhen ushqim për hienat për disa ditë.
Kush ka mbetur pa u pyetur e pa folur me kompetencë mbi rastin? Si more harruat të pyesni lopët e stallës ku u varros viktima?
IA e mundëson ndoshta dhe këtë… pyetet lopa, regjistrohet dhe Inteligjenca Artificiale na e përkthen në një gjuhë të kuptueshme.
Aman, mos harroni lopët…
Sepse siç harruat lopët harruat të shkoni të pyesni gruan e Saimir Tahirit: “Zonjë a vuani ju realisht nga nervi shiatik?”.
Të pyesnin familjarët e Beqjes: “A i ka dorëzuar familjari juaj të gjithe telefonat dhe hard-disqet në SPAK?”.
Përse nuk shkoni ju more garipë dhe atletë, që kthyet përmbys një fshat të tërë të pyesni shefin e SPAK-ut: “N.q.s një pjesë e administratës amerikane ju kërkon të bëni një sy qorr për disa të akuzuar në afera të bujshme, ju do e merrni parasysh kërkesën e tyre?”.
Përse nuk i pyesni gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese: “Në emër të kujt bëhet drejtësia?.”
Përse nuk shkoni t’u zini derën gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë të cilët i pranë gjuhën kolegut tuaj?
Ku e keni o dashamirë zellin gazetaresk për gjërat që kanë rëndësi jetike për këtë vend?
Në vend se të bëni punën tamam, ndiqni dhe numëroni bajga dhe llafe pazari.
Të gjithë fakirë!!