Drejtori i Radio Televizionit të Kosovës, Rilind Gërvalla reagoi ndaj një shkrimi të gazetarit Baton Haxhiu ku sulmoheshin disa figura të jetës publike në Kosovë, mes tyre dhe Gërvalla të cilin Haxhiu e cilësoi si të padijshëm.
Gërvalla reagoi me një status në fejsbuk duke theksuar se RTK-ja nuk mund të funksionojë si portali i Baton Haxhiut dhe se ky i fundit ka një karrierë të gjatë me orkestrime sulmesh personale ndaj shumë njerëzve në Kosovë.
“Baton Haxhiu më paska përmendur, sërish. Duke u pëpjekur të më përçmojë e duke më cilësuar si të emëruar politikisht në RTK, sërish. Së pari, kush sulmohet nga Haxhiu, vlen diçka. Kush mbrohet e punësohet nga Haxhiu, digjet, siç na ka treguar historia prej viteve ‘90 e deri sot.
Dihet se RTK nuk funksionon si portal i Haxhiut. Rekrutimet tek ne janë me konkurs dhe transparencë, jo siç i do ai.
Unë për vete kam pasur çdo mundësi të bëj karrierë politike, po të kisha dashur. Atë babën e mirë që e përmend Haxhiu, e kam ditur edhe vetë. Garantoj se as unë e as babai im i ndjerë kurrë nuk ka njohur e bashkëpunuar me “gazetarë axhendash” si z.Haxhiu. Kemi edhe pjesëmarrjen në UÇK, që do shokëve të Haxhiut u ka shërbyer si trampolinë për të kërcyer në politikë e në bollëk. Mirëpo, kam zgjedhur tjetër rrugë me vetëdije.
Nëse duan ta ndihmojnë RTK-në, le ta ndihmojnë duke mbajtur larg saj modelin e shpikur prej tyre, të medias “vrasëse me pagesë.” – shkruan Gërvalla.