Drejtuesi i lëvizjes “Shqipëria Bëhet” tha se ka nisur puna për mbledhjen e 20 mijë firmave të qytetarëve të cilët kërkojnë ndryshimin e sistemit zgjedhor.
Adriatik Lapaj u tha gazetarëve se kjo është mundësia e fundit për t’i dhënë jetë përfaqësimit të drejtë në parlamentin e Shqipërisë.
“Në janar janë rrëzuar dy projektligje për Reformën Zgjedhore, ne do ta dërgojmë në parlament përmes 20 mijë firmave. Stendat do të jenë në Tiranë dhe në rrethe. Është çasti të ndahet shapi nga sheqeri. Të ndahen ata që janë pro pengmarrjes dhe ata që janë pro hapjes së sistemit.
Duhet që çdo deputet ta pozicionojë veten dhe të zgjedhë që ta mbajë Shqipërinë peng apo të demokratizojë vendin. Nuk ka rrugë të mes, o me pengmarrësit, o me qytetarët.” – u shpreh Lapaj.