Profesori amerikan në një shkrim të tij ritheksoi sërish qendrimin se përpjekja e SHBA-ve për të shkëputur Serbinë nga ndikimi i Rusisë nuk do të japë rezultate dhe çmimin për këtë do e paguajë Kosova.
Server nënvizon në artikull se ambasadori Kristofer Hill përdori gjuhë të papranueshme kur lavdëroi ushtrinë e Serbisë në një kohë kur Aleksandër Vuçiç ka synime të qarta për pushtimin e Kosovës.
Server shton ndër të tjera se SHBA-të duhet të rishqyrtojnë aleancat e tyre në Ballkan dhe të orientohen nga miqtë e vërtetë dhe jo nga satelitët e Vladimir Putinit.
“Ambasadori i SHBA-së në Beograd ka lavdëruar bashkëpunimin me ushtrinë serbe edhe pse presidenti i Serbisë e bën të qartë qëllimin e tij për të pushtuar Kosovën. Si mund të jenë të dyja të vërteta? Asnjë enigmë e madhe. Serbia bashkëpunon me stërvitjet e SHBA-së dhe NATO-s për dy arsye.
Së pari, ata ofrojnë trajnime të mira, të cilat rusët nuk janë në gjendje t’i ofrojnë. Performanca e ushtrisë ruse në Ukrainë është përmirësuar, por humbjet e saj janë kolosale. Së dyti, stërvitjet e NATO-s ofrojnë mundësi të shkëlqyera për të mbledhur inteligjencë. Kjo do të shërbejë në çdo veprim ushtarak serb kundër forcave të udhëhequra nga NATO në Kosovë. Beogradi, pa dyshim, gjithashtu ia kalon këtë inteligjencë Moskës.
Kjo përkëdhelje ndaj Vuçiç është bërë sjellje e paracaktuar në Beograd. Pyetja është pse tolerohet në Uashington. Mendoj se ka arsye. Por ato nuk kanë gjasa të jenë të mira. Asnjë sasi shuplakash nuk do të ndryshojë vendimin e Beogradit për t’u lidhur me Rusinë. Vuçiç e ka bërë të qartë se ai synon të marrë mbrapsht një pjesë të Kosovës sa herë që i jepet rasti.
Çdo marrëveshje në Ukrainë për t’i dorëzuar territorin Rusisë do ta ofrojë këtë mundësi… Mund të vazhdojë, por ju e kuptoni qëllimin. Politika amerikane duhet të kthehet në favorizimin e miqve të saj në Ballkan dhe kundër armiqve të saj. Kjo nuk duhet të jetë shumë e vështirë për t’u bërë. Dyfishoni suksesin, jo dështimin.” – shkruan Server.