Shënim redaksional
Ushtria kibernetike e kryetarit të bashkisë Tiranë është vënë prej ditësh në lëvizje duke goditur faqet e subjekteve politike të cilat kanë ndërmarrë aksione të mirëfillta politike për rastin e skandalit të dosjes “5D”.
Brenda natës faqet online në rrjete sociale të “Lëvizja Bashkë” dhe “Nisma Thurje” ranë pre e shumëfishimit të numrit të ndjekësve në mënyrë fiktive. Një sulm i koordinuar ky për t’i bërë faqet e tyre më vulnerabël dhe për të ndikuar direkt në algoritmin e rrjeteve respektive.
Sulme të tilla po bëhen të zakonshme ndaj të gjithë atyre që guxojnë t’i vënë emër dhe mbiemër korrupsionit në bashkinë e Tiranës.
Kujtojmë se të parët të cilët ranë pre e sulmit dhe çensurës online ishte faqja e kanalit “Citizens Channel”, media që bëri mbulimin më të plotë të aferës “5D”.
Sulmi ndaj “Citizens Channel” u pasua nga një sulm i mirëorganizuar ndaj “Lëvizja Bashkë”. Pas kësaj radha ishte për “Nisma Thurje”.
Dy subjektet në fjalë janë të vetmet subjekte nga partitë e reja të cilat kane ndërmarrë aksione të mirëfillta politike, pa u mjaftuar vetëm me reagime në rrjet, duke e akuzuar publikisht Erion Veliajn si kokën e ndërmarrjeve të tilla korruptive.
Çka bie në sy është mungesa totale e aksionit politik të “Shqipëria Bëhet”. Kryetari i saj, Adriatik Lapaj u mjaftua vetëm me katër rreshta të shkruar në rrjetet sociale, ku vuri theksin se korrupsioni në bashkinë e Tiranës është një fakt i ditur botërisht.
Nga kampi i “Shqipëria Bëhet” ka pothuajse një heshtje totale mbi aferën “5D”, heshtje që u vu re dhe në një skandal tjetër të madh të bashkisë Tiranë, atë të inceneratorëve.
Duket se dhe mes subjekteve dhe nismave të reja politike në vend po ravijëzohen pak nga pak dhe dallimet e para në bërjen dhe konceptimin e politikës.
Për Qorin dhe Shabanin korrupsionin e bën Veliaj, për Lapajn korrupsionin e bën bashkia.