Nga Lutfi Dervishi

A ka shans t’ia dalësh në një vend ku realiteti më shumë i ngjan skenarit të një filmi apokaliptik sesa jetës së përditshme?

  1. Qeveri e korruptuar

Qeveria, është kaq e zhytur në korrupsion, dhe këtu korrupsioni shfaqet me një guxim të tillë, saqë nuk ka më asnjë pengesë që vendi të shpallet: “Trashëgimi Botërore e UNESCO-s për Kleptokraci”. Këtu shërbëtorët publikë janë më të pasur se zotërinjtë të cilëve u shërbejnë dhe qeveria rrezikon të humbasë zgjedhjet vetëm nëse kalon një javë pa prodhuar një skandal më të madh se para ardhësi.

  1. Opozitë e dërrmuar

Në radhë vjen opozita, ose ajo çfarë ka mbetur prej saj. Ajo fton dhe organizon protesta për ta rrëzuar qeverinë, e cila është rrëzuar prej kohësh, por ka zënë përfund edhe vetë atë. Opozita sot është po aq efektive sa një semafor në mes të Saharasë.

  1. Drejtësi e mbaruar

Sistemi i drejtësisë, duket se ka keqkuptuar konceptin e “drejtësisë së verbër.” E verbër ndaj kundërshtarëve të qeverisë dhe të pamundurve, por syshqiponjë ndaj pushtetit. Peshorja e drejtësisë nuk është e pjerrët, por e përmbysur. Mjaf të shohësh me çfarë guximi gjyqytarët Kushtetueses dhe gjykatës së Lartë i japin (gjithmonë) të drejtë qeverisë .

  1. Media e shformuar

Media i ngjan një pasqyrë argëtuese, që shtrembëron realitetin në atë masë sa e vërteta fillon të dyshojë te vetja. Eshtë një cirk ku kllounët mendojnë se ky vend ka dy të këqija të mëdha: opozita nuk po qeveris mirë dhe populli nuk është mirënjohës sa duhet ndaj qeverisë. Median nuk e zë gjumi nëse çdo ngjarje nuk e kthen në një serial ku çdo fakt është opsional dhe çdo opinion është fakt.

  1. Shoqëria Civile e hutuar Pavarësisht qëllimit të shpallur, përfundimi është gjithmonë i njëjtë: një grup njerëzish të mbledhur rreth një ideje që askush nuk e kupton, por të gjithë janë të sigurt që është e rëndësishme. Intelektualët kanë guxim për të kritikuar BE, Rusi, Kinë, por nuk hapin gojën përballë pushtetit.

E megjithatë…

…në mes të këtij kaosi, njerëzit jo vetëm që mbijetojnë; por ecin përpara. Duket sikur janë vaksinuar me një dozë shtesë rezistence të përzier me një injeksion absurditeti. Kjo mbijetesë në një vend ku drejtuesit e institucioneve janë më të vjetër se vetë institucionet flet vetëm për rezistencën e shpirtit shqiptar.

Kjo nuk është pak, në një vend ku kaosi nuk e ndërpret jetën, por është mënyrë jetese. Jeta vijon nën hijen e një absurditeti të vazhdueshëm. Nuk ka më ankesa. Nuk të habit më asgjë. Përgjigja është buzëqeshja dhe mbledhja e shpatullave rreth qafës: “Mund të ishte edhe më keq”.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *