Drejtori i Policisë së Tiranës, Tonin Vucaj e cilësoi si ngjarje pa rëndësi publike plagosjen me thikë të drejtorit të ATK-së nga burri i ministres Delina Ibrahimaj.
Sipas Vocajt, policia ka kryer të gjitha veprimet hetimore dhe ka dërguar materialet në prokurori, ndërkohë që nuk pati njoftim publik pasi sipas tij ngjarja nuk paraqiste ndjeshmëri të lartë.
“Lidhur me këtë ngjarje, ngjarja është e vitit të kaluar. Lidhur me këtë ngjarje strukturat e hetimit të komisariatit nr.1. kanë kryer procedurat. Materialet janë çuar në prokurori, për veprën penale goditje për shkak të detyrës. Është e vërtetë fakti se nuk është bërë e mundur që të kapte menjëherë autori i kësaj ngjarje. Lidhur me pyetjen tuaj se policia ka pasur një mungesë transparence, kjo ngjarje nuk futet te ngjarjet sensitive për të cilat policia jep njoftime për shtyp. Të gjitha materialet janë referuar në prokurori, dhe është prokuroria që po heton këtë çështje.” – tha Vocaj.
Bashkëshorti i ministres, Andri Ibrahimaj plagosi pas një sherri drejtorin e ATK-së, Eri Koshaj por ngjarja nuk u raportua. Ngjarja ka ndodhur në rrugën “Tefta Pashko”, pranë “Pazarit të Ri” në kryeqytet, në orët e mbrëmjes së datës 21 nëntor të vitit të kaluar. Andri Ibrahimaj i kishte zënë “pritë” Koshajt dhe pas përplasjes verbale, ka nxjerrë thikën dhe e ka qëlluar në pjesën e shpinës.