Njohësi dhe analisti i çështjeve të Ballkanit, Janusz Bugajski reagoi pas shkarkimit të Gabriel Eskobar si emisar i dërguar i SHBA-vë në dialogun Kosovë-Serbi.
Bugajski shkroi në platformën “X” se Shtetet e Bashkuara të emërojnë një emisar të ri dhe të pakorruptuar duke aluduar për përfshirjen e Eskobar në afera korruptive.
“Nuk është çudi që Vuçiqi mori një udhëtim falas nga administrata e Bidenit. Është koha për të emëruar të dërguar të pakorruptuar që në fakt e kuptojnë Ballkanin dhe mund të merren me Rusinë dhe përfaqësuesit e saj në Beograd dhe Banja Llukë.” – shkruan ai.
Mediat në Kosovë raportuan se e shoqja e Gabriel Eskobar ka marrë financime nga ministria e Jashtme e Serbisë me anë të një fondacioni që ajo drejton dhe kjo ka ngritur dyshime lidhur me paanësinë dhe neutralitetin e Eskobar në dialogun Kosovë-Serbi.
Gjatë tre viteve të qendrimit në këtë detyrë, Gabriel Eskobar pati përplasje të shpeshta me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti i cili shprehu mospajtimin e tij të vazhdueshëm me qëndrimet dhe propozimet e të dërguarit amerikan.