Nga Ermal Mulosmani

Veglat e mallëngjimit i përmend Kundera te një nga romanet e tij më të njohura. Ato janë, disa sende (fjala vjen një fotografi, një t-shirt, rrip pantallonash, a krehër flokësh) që iu atribuohet një histori sentimentale. Ato “vegla mallëngjimi” kanë efekt magjik te zotëruesi i tyre. Sapo përmenden atyre u dridhet zëri, sytë përloten dhe mallëngjimi i pushton shpirt e trup. 

Edhe popujt kanë veglat e tyre të mallëngjimit. Janë dinjiteti, krenaria, flamuri, atdheu, lideri, kënga, patosi. Sa më shumë t’u mungojnë ato “vegla” aq më shumë i duan, aq më shumë përmallohen, eksitohen, mallëngjehen. Sa më shumë t’u kujtosh poshtërimin e dikurshëm, vuajtjet, margjinalizimin, inferioritetin, racizmin aq më shumë mallëngjehen. 

Vizita e Ramës në Athinë i përngjante si dy pika uji vizitës në Beograd. “Mu në mes të Beogradit”, “mu në mes të Athinës” – ua çori maskën urrejtësve të bashkëkombasve të vet – më duket sikur po e lexoja të shpërndara në statuset e të mallëngjyerve. “Dinjitoz”! – më vjen dimensioni tjetër i të përmbajturve. 

Për të mos shkuar pastaj te Muahmedi që, ndërsa hapte lajmet nga Athina, pushtohej nga emocione aq të forta sa mendova se po vdes në transmetim. E gjithë qenia i buiste krenari e mallëngjim – takim me historinë. Po i digjej xhani ta thoshte: “Ia arritëm kësaj dite!”

Meti, flamujt kuq e zi, këngët patetike, Clevio, Noizi, histeria dalldisëse ishte dekori i duhur për mallëngjimin. Një teatër ku superstari jep maksimumin. Nuk kisha asnjë dyshim për cilësinë e fjalimit. Patetik por edhe me momente racionale, kurajoz por edhe diplomat, hakërryes por edhe miqësor. Një orë me pak fare monotoni. Kishte menduar çdo moment arsyet se pse do ta dëgjonin. 

Por, si padashje, në një moment, kur po fliste për opozitën greke (që është pjesë e së njëjtës familje politike me PS) deklaroi se për nevoja të “nacionalizmit elektoral” po mban qëndrime të paarsyeshme, krejt ndryshe nga miku i tij, kryeministri i djathtë Micotaqis.

Pra, po kritikonte të majtën greke, për kryeministrin e djathtë në fuqi. 

Mu kujtuan mjaft takime

Në Tiranë kur paradite lavdëronte Mit’hat Frashërin e pasdite komunistët, sot ish-pronarët e tokave e nesër zaptuesit, vjet kritikonte sistemin që prodhon hajdutë e sivjet hajdutët që nuk kanë asnjë lidhje me sistemin; para se të merrte pushtetit kur pyeste ish pushtetarët: Pse ikin shqiptarët nga kjo “parajsë e punësimit” dhe pas marrjes së pushtetit kur deklaronte që “kush thotë që ata që ikin ikin për faj të pushtetit është i poshtër” e sa e sa të tilla. Ky është një mjeshtër i manipulimit të turmave me një karizëm dhe oratori për t’u lavdëruar por në fund fare është një manipulues! Në funksion të qëllimit të manipulimit përdor gjithfarë broçkulle a citimi, të vërtete a miti, politikani të nderuar a vjershëtori mediokër. Nuk ka kurrfarë rëndësie se çfarë respekti ka për të. Si thotë ajo fjala, “për interesin e  tij djalli citon Biblën”.

Në fund fare nuk mund të mungonte edhe gjesti teatral, i uljes në gjunjë, një akt i menduar për ta elektrizuar edhe më turmën. Një farsë por me efekt mallëngjyes.

Edi Rama shkoi në Athinë pikërisht për këtë efekt. Kjo vizitë nuk prodhon ASNJË, e theksoj këtë – ASNJË PËRMIRËSIM – në gjendjen e emigrantëve tanë në Greqi. Ata do të përkëdhelen në sedrën e krenarisë – duke bërë share dhe like – dhe të nesërmen do të jenë më pak të dashur nga grekët. Sepse edhe nëse ato që tha Rama, të gjitha të ishin të vërteta, askush prej grekëve nuk do sillet më mirë të nesërmen e mitingut. Përkundrazi. 

Kadareja ka një ese shumë të bukur, “Poshtërimi në Ballkan”, që më erdhi në mendje ndërsa e dëgjoja Ramën. Në atë ese, Kadare përmend rastin e një minoritari që e quante veten si “zëri i pakicës egjiptiane” i cili mezi e mbante mllefin antishqiptar. Ky egjiptiani e quante popullin shqiptar “racist” sepse i quante me përçmim “jevgj” bashkëkombasit e tij. Ndërkohë që, sipas egjiptianit, këta kishin ardhë në këto troje qysh në kohën e faraonëve, rrjedhimisht shumë shekuj para shqiptarëve (ka edhe mes nesh oh sa të tillë shënim imi EM).. Luajaliteti ndaj vendit që u jep strehë është kriteri i parë, i detyrueshëm ndaj çdo demokraci për pakicat. Ky kriter është baza mbi të cilën ndërtohen marrëdhëniet e pakicave me shumicën, sepse është pikërisht ai kriter që u jep të drejtën morale pakicave të kërkojnë gjer më një të drejtat e tyre. Shkelja e këtij kriteri, thënë ndryshe, poshtërimi i vendit ndore  të cilit ti je, çon pashmangshëm në kundëracarime të llojit “nuk ju pëlqen këtu, ikni nga keni ardhur”

 Nuk po them që edhe vetë Kadareja nuk kishte nuanca racizmi në tekstin e mësipërm, por në thelb më dukej se kishte të drejtë. 

Kur vjen puna te Serbia Rama thotë “të shohim përpara”, kur ia do puna te Greqia i hakërrehet për poshtërime të para 20 viteve, ndryshime të detyruara emrash, fesh etj., sipas rastit.

Ajo në fakt u drejtohej emocioneve të turmës në stadium sesa politikanëve apo popullit grek. Ata do të preferonte të mos i dëgjonin fare ato fjalë. Sepse ato janë thjesht “Fjalë imzot, fjalë”. Kështu i tha edhe Vuçiqit kur ky u mërzit nga retorika nacionaliste “mu në mes të Beogradit”: “Sasha, mos u shqetëso, eja dhe thuaj çfarë të duash në Tiranë, askush nuk do të shqetësohet”.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *