Nga Sebastian Zonja
Ndryshimet në kabinetin e ri të liderit rus Vladimir Putin paralajmërojnë se një furtunë e re konspiracioni pritet të përmbysë Perëndimin.
Eminenca gri, një ndër njerëzit më të rëndësishëm në Kremlin, Nikolai Patrushev është emëruar ndihmës i presidentit në ndryshimet e fundit, duke lëvizur nga kreu i Këshillit të Sigurisë.
Për njohësit e Kremlinit, Patrushevi është koka e thuajse gjithë konspiracioneve, nga ato më të thjeshtit deri tek më të çmendurit, sa i përket minimit të demokracisë dhe sistemeve të sigurisë në Perëndim. Ideologë si Aleksandër Dugini, të sjellë në shqip me përkthim shumë të keq nga shtëpia botuese e konspiracionistit Alfred Çako, i shërbejnë linjës së dezinformimit rus.
Vladimir Putini dhe Nikola Patrushevi e cilësojnë të gabuar rënien e e Bashkimit Sovjetik, politikat e Boris Jelcinit, si dhe kanë mosbesim të thellë ndaj Perëndimit.
Si mund ta lidhim me realitetin në terren
Gjatë luftës për çlirim kombëtar në Kosovë, akuza që ngriti Serbia kishte të bënte me trafik organesh. Rusia, duke qenë pjesë e strukturave politike në BE (për shembull Këshilli i Evropës) dhe organizmave të tjerë në OKB, e ngriti publikisht ndërkombëtarisht këtë çështje të paqenë.
Sot, gjatë luftës në Ukrainë, Patrushevi është ideatori dhe promotori i ideve se në Ukrainë po bëhet trafik organesh dhe perëndimorët shkojnë atje për t’i blerë.
Po ashtu, siç i keni dëgjuar shpesh nëpër media dhe nëpër tavolina, sipas Patrushevit, gjë të cilën e ka thënë edhe publikisht, Perëndimi kërkon të “zvogëlojë popullsinë e botës në mënyra të ndryshme”, por vetëm Rusia mund ta ndalë këtë plan ogurzi.