Raketa që goditi një rajon të Polonisë në kufi me Ukrainën duke shkaktuar dy të vdekur, ka krijuar polemika dhe ka nxitur akuza mes Rusisë dhe Ukrainës të cilat fajësojnë njëra-tjetrën për lëshimin e raketës. Ministria e Mbrojtjes ukrainase mohoi akuzat se raketa që goditi Poloninë ishte lëshuar nga Kievi.

Ishin zyrtarët amerikanë dhe vetë presidenti polak Andrei Duda ata që konfirmuen se rezultatet e hetimeve të kryera provuan se raketa ishte lëshuar nga Ukraina, por pa qëllimin për të dëmtuar Poloninë. Duket se ky reagim i SHBA-ve nuk i ka pëlqyer shumë Ukrainës e cila fajësoi Rusinë për lëshimin e raketës duke pretenduar se ata kanë prova për akuzat e tyre. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Shtoltenberg dhe sekretari amerikan i Mbrojtjes, Loid Austin konfirmuan se nga të dhënat e tyre rezulton se raketa u lëshua nga mbrojtja ajrore e Ukrainës dhe se nuk ka prova të tjera që mund të hedhin poshtë këtë përfundim. Të dy zyrtarët fajësuan Rusinë për këtë situatë pasi sipas tyre ishte Moska ajo që nisi këtë luftë dhe të gjitha pasojat burojnë nga vendimi për të sulmuar Ukrainën.

Për t’u theksuar në këtë situatë është reagim i Rusisë e cila përshëndeti qëndrimin amerikan që përcaktonte burimin ukrainas të raketës. Kjo po shihet si afrim mes Moskës dhe Uashingtonit në kohën kur ky i fundit ka shtuar zërat për nevojën e një tryeze paqeje ku Volodimir Zelenski dhe Vladimir Putin të ulen me njëri-tjetrin në përpjekje për t’i dhënë fund konflikti të përgjakshëm.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *