Gjykata e Nju Jorkut e shpalli fajtor për 34 akuza ish-presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Vendimi final për Donald Tramp do të jepet më 11 korrik, ndërkohë që ai i rikthehet fushatës tashmë si i vetmi ish-president dhe njënkohësisht kandidat i dënuar për vepra penale.
Gjykata e shpalli Trampin fajtor për falsifikim të bilanceve në biznesin e tij. Po ashtu ai u shpall fajtor dhe për pagesën e padeklaruar ndaj një aktorje filmash për të rritur në përpjekje për të fshehur lidhjen intime me të.
Donald Tramp e cilësoi sërish procesin dhe vendimin si farsë me prapavijë politike duke u shprehur se vendimin e madh do e japë populli amerikan në zgjedhje.
Nga ana tjetër, shtabi elektoral i presidentit Xho Baiden e cilësoi këtë vendim si fitore të drejtësisë dhe të Amerikës duke theksuar se në këtë vend askush nuk qëndron mbi ligjin.