Nga Lutfi Dervishi

Suksesi

PS-ja deri dje ka qenë më e shqetësuar për suksesin e SPAK-ut sesa për suksesin e vet në zgjedhje.

Aq i madh ka qenë ky shqetësim, sa duket sikur ka pasur një urdhër të fshehtë për ministrat, zëvendësministrat, kryebashkiakët dhe drejtorët që të bëjnë korrupsion dhe skandale sa t’i hajë syri dhe sa t’i rrokë mendja, që të dalë me sukses SPAK-u. Aq sa pas çdo fjalimi që përfundonte me mesazhin “fund pandëshkueshmërisë”, niste një modë e re hajdutërie në zyrat e shtetit.

Problemi

Me Komisionin e Posaçëm Parlamentar, me negociata të vështira me partnerët dhe kompromis të vështirë me opozitën (e cila nuk po qeveris fare mirë), shumica i ka hyrë një rruge të kushtueshme për t’i treguar kufi SPAK-ut. Por ka një rrugë më të thjeshtë dhe me shumë pak kosto për t’i vënë drynin SPAK-ut.

Zgjidhja

Zgjidhja është e thjeshtë si veza e Kolombit. SPAK duhet lënë pa punë duke ndalur furnizimin me lëndë të parë. Ministrat duhet të lexojnë Kodin e Etikës që kanë miratuar më 2013 dhe 2017, dhe drejtorët të lexojnë ligjin. Në vend që të luftohet korrupsioni duke dërguar shokët në SPAK, shokëve u duhet thënë: Mos bëni më korrupsion/skandale se nuk na duhet më SPAK-u.

Natyrisht, ca vese dalin me shpirtin, por situata fillon të ndryshojë kur ushqehen veset e mira.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *