Nga Enver Bytyçi 

Behgjet Pacolli ka reaguar ashpër pasi që kryeministri i Shqipërisë erdhi në Prishtinë dhe nuk u prit nga ana e kryeministrit të Kosovës. Edhe pse kreu i ekzekutivit shqiptar ishte ftuar për datën 12 qershor në festimet e 25 vjetorit të çlirimit të Kosovës, ai erdhi aty më 10 qershor për t’i bërë qokën e vet Lumir Abdixhikut. Pra nuk pranoi ftesën e kryeministrit Kurti. Thjesht për këtë shkak nuk meritonte pritje, sepse erdhi i paftuar e para dasmës.

Por problemi më i madh është Behgjet, se ti duhet të flladitesh e të shohësh se Rama erdhi në Kosovë si ai përdhunuesi që shkon në dasmën e viktimës së tij! Deklarata e tij në Beograd se “Kosova është e pavarur“, o Behgjet, ishte thjesht preludi i projekteve pro-serbe që do të vinin më pas për zbatim. Dhe ti e di o Behgjet, se je i sprovuar praktikisht, se si fshihen qëllimet e vërteta të tradhtarëve me deklarata e parulla nacionaliste.

Ti Behgjet, Kosova dhe gjithë shqiptaria e dinë se sa u angazhua fort kryeministri i Shqipërisë për ndarjen e Kosovës. E di, se e ke përkrahë publikisht Minishengenin, Behgjet dhe se sa luftoi me mish e me shpirt Edi Rama për Open Balkan. Dhe unë nuk besoj Behgjet se je aq naiv, sa të mos e kuptosh se Open Balkani kishte për synim krijimin e Jugosllavisë së Re, para se Kosova të bëhej anëtare e OKB-së dhe më pas të obligohej për të qenë pjesë e Serbisë. 

Ti Behgjet e di se sa selamet me fyerje ia ka dërguar kryeministri i Shqipërisë Albin Kurtit nga Beogradi, Shkupi, Novi Sadi, Tirana e Ohri, sa herë mblidheshin me Vuçiqin e Zaevin për të promovuar atë palo Open Balkan. Ti e di, Behgjet, se Rama ishte i pari në Europë ai qe sanksionoi Albin Kurtin me anullimin e mbledhjes së përbashkët të të dy qeverive në Gjakovë në fund të qershorit të vitit të kaluar! E njeh gjithashtu faktin, i dashur Behgjet, se Rama tha se veriu i Kosovës është tokë e askujt, pikërisht një ose dy ditë pas suksesit spektakolar të asgjësimit të grupit terrorist serb të Banjskës. Pra nuk donte të njihte atë sukses e nuk e pranonte faktin se Serbia po humbiste terren në këtë pjesë të Kosovës!

Ti i di të gjitha, i nderuar Behgjet, por e ke lidh kalin te grazhdi i Edi Ramës dhe të takon të flasësh në mbrojtje të tij. Por së paku mos rrej o burrë!

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *