Nga Daut Dauti
Akti i Mirlind Dakut është i papranueshëm. Dëshira për t’u paraqitur patriot në Kosovë është një problem kompleks. Është një frymë e panevojshme që bartet në të gjitha shtresat shoqërore e profesionet që nga bujku, zanatlinjtë e ndryshëm e deri të ‘intelektualët’ dhe politikanët. Situata mund ta arsyetojë këtë gjendje, por jo edhe përmasën e patriotizmit që shfaqet gjithkund, përfshirë fushën e futbollit.
Megjithatë, sulmet që po bëhen kundër Dakut në media dhe komentet kundër tij, janë poashtu të papranueshme dhe janë ekstremisht jopatriotike. Madje, disa media dhe komentues, zakonisht të Shqipërisë, kanë kërkuar përjashtimin e Dakut nga kombëtarja. Si është e mundur kjo gjë?
Nga injorantët Daku akuzohet edhe për faktin se nuk mund të jëtë patriot për shkak se luan për një klub rus, e cila gjë nuk është e vërtetë. KF Rubin Kazan është ekip i Tataristanit, që është pjesë e federatës ruse. Por, tatarët nuk janë rusë. Tatarët kanë një histori të gjatë të angazhimit në luftë kundër tendencave shoviniste ruse.
Tataristani, që dmth shteti i tatarëve, daton që nga shek. VI por kur ky vend ra në sundimin rus në shek XVI, gati qe shkatërruar tërësisht qenja tatare. Rusët e dogjën Kazanin deri në themel, i vranë, i përzunë dhe i konvertuan me dhunë në ortodoks më shumë se gjysmën e tatarëve të Volgës kurse atyre që mbetën ua ndaluan fenë myslimane. Është çudi se si kanë mbijetuar tatarët. Kjo është për shkak se ata janë popull luftarak dhe nuk dorëzohen.
Ta akuzosh Dakun se luan në një klub rus, është sikur ta akuzosh dikend nga KF Prishtina se ka luajtur në një ekip serb për shkak se klubi garonte në federatën e futbollit jugosllav.