Presidenti aktual i Shteteve të Bashkuara të Amerikës u gjend përballë një stuhie kritikash nga kundërshtarët, të pavendosurit dhe nga vetë mbështetësit demokratë për paraqitjen e tij në debatin e së premtes ndaj rivalit Donald Tramp.
Mbështetësit e Partisë Demokratike vërshuan me kritika të shumta duke shkruar se nuk e përmbanin dot shqetësimin nisur nga zbehtësia dhe hezitimet e shpeshta të presidentit aktual gjatë debatit me kundërshtarin e tij.
Vetë Baiden reagoi duke i pranuar kritikat dhe paraqitjen e tij jo cilësore në debatin e parë me Tramp.
Baiden theksoi se do të reflektojë në vijimësi duke shtuar se demokracia amerikane dhe rendi botëror janë të kërcënuara nga rizgjedhja e mundshme e Donald Tramp në Shtëpinë e Bardhë.
Mbështetësit e Baiden drejtuan mesazhe të shumta në adresë të zëdhënësve të presidentit dhe donatorëve kryesorë të partisë duke kërkuar shpjegime nëse presidenti aktual gëzon kushtet e duhura fizike dhe mendore për një tjetër mandat.