Nga Ermal Mulosmani

Në verën e vitit 1995 punoja në Televizioni Shqiptar. Isha Zv.Drejtor për Ekonominë. Aso kohe sapo kisha filluar bashkëpunimin me Vera Grabockën, mikeshën time, regjisore e spektakleve më të njohura në Shqipëri. 

Në pranverë filluam transmetimin e një seriali televiziv me titull “12 në Holliwood”, një përqasje e numrit të episodeve që do transmetoheshin me emrin e klubit ku do të organizohej spektakli. Ish Kinema “Partizani” ishte transformuar në një tip restorant-kabare me emrin e famshëm… Kujtoj se në atë program, ndërmjet të tjerash, ishte edhe një  intervistë e famshme e Krastës me Namik Hotin… Por tjetër kund dua të dal me këtë status…

****

Diku nga fundi i atij programi, na vjen një biznesmen nga Kosova, Sahit Vokshi quhej (personi në foton e parë të postimit, me mua). Në hyrje të lokalit ku bëhej spektakli kishim një zyrë me mure xhami në dy anë, rreth 20 m katror. Aty bënim mbledhjet e punës, takimet, telefonatat dhe rutinën e përditshme. Dikush më lajmëroi se të kërkon Vera në zyrë, ishte me një “kosovar”. Pronari i restorantit, Xhevdet Shoshi, gjithashtu ishte kosovar, mendova se ishte ai. Por jo, Xhevdën e njihnim mirë dhe e takonim shpesh…

Sapo u futa në zyrë zgjata dorën drejt mysafirit enigmatik. Vera i ra drejt e në temë: “Sahiti është një biznesmen nga Kosova që ka ardhur të na falenderojë për ftesën e disa artistëve nga Kosova në programin tonë. Ai ka ftuar disa prej nesh në Mal të Zi, Ulqin,  sapo të mbarojë  programi. Një javë në det me gjithçka të paguar nga ai!”

Huuuu!

Vera më pyeti nëse ka diçka që nuk shkon në këtë ftesë, kishte një ngurim. Dhe kë po pyeste?! Unë isha fëmijë aso kohe vetëm 25 vjeç!  U ndamë me Sahitin duke i kërkuar kohë për përgjigjen! Kjo ishte kaq qesharake për të 🙂. 

Ishim të drojtur e mosbesues.

Përfundimisht, që mos ta zgjas, shkuam në Ulqin nja 20 a më shumë persona, me autobus. Udhëtimi ishte i paharrueshëm. Në kufi, një epror malazez, u tall me ne dhe na mbajti gjatë për një pashaportë të një vajze. Nja dy orë të tensionuara që i kalonim me të qeshura e gallatë. Është e çuditshme sesi momentet serioze kalohen me humor kur kemi të bëjmë me grupe njerëzish mbi 10 vetë. Grupimi duket sikur na bën të pacënueshëm…

Sahiti, biznesmeni, ishte me ne në autobus. Ai ishte i shqetësuar shumë. Bulëza djerse i dilnin teksa fliste me oficerët. Më keq ndjehej nga të qeshurat tona mospërfillëse!

Më thirri veçan. Më tha që situata është serioze dhe po të dojë ky zotëria na kthen pa arsye. Pas nja dy orësh u nisëm duke kënduar hareshëm…

Mbërritëm në hotel Albatros, u shpërndamë nëpër dhoma. Poshtë ishte bregdeti shkëmbor dhe deti i thellë. Lamë çantat dhe u zhytëm me hedhje. Ishte det fantastik, nuk ngopeshim me të…

Dhomat ishin ok por ushqimi nuk na pëlqeu. Sahiti na tha që nuk do hanim asnjë vakt aty, thjesht do të flinim. Ushqimi do të konsumohej nëpër restorantet e Ulqinit. Vera na njoftoi se mjaft nga restorantet na ftonin për dreka e darka dhe bëmë një agjendë. Ne ishim të famshëm aso kohe. 

Në mëngjes një anije vinte e na merrte te plazhi i Ulqinit, poshtë Kalasë dhe na çonte nëpër perla të virgjra ku zhyteshim dhe nuk ngopeshim! Ishte një lloj parajse. Pas larjes kishim drekë në restorante luksi dhe kthim në pasdite. Darka gjithashtu me veshje mbrëmjeje dhe festa pa fund…Ajo ngjarja tendencioze në kufi sikur ishte harruar…

Një ditë vjen te Albatrosi (hoteli ynë) oficeri i kufirit që na kishte mbajtur peng për dy a tre orë. Recepsioni na njoftoi se dikush kërkon shefin tuaj. Zbritëm unë dhe Vera, zbriti edhe Sahiti. Ky ishte bërë meit në fytyrë. Nuk donte kurrsesi të takoheshim me të. Në fakt, kur na bllokoi në kufi, i thamë “Do jemi në Hotel Albatros, hajde ndonjë ditë e rri me ne”. Ishte një ftesë e papërgjegjshme, naive, fluturake. Tani ai budallai kishte mbërritur.

Takimi ishte i ftohtë dhe pa kuptim. Ne veç donim të ndaheshim. Sahiti përkthente por ishte i shqetësuar. Ky tipi tha “Kalova veç se më ftuat”. Zgjati diku nga 20 minuta ajo kafe por u duk si 2 orë. Vazhdimisht kalonin disa prej tanëve që qeshnin me të ftuarin duke bërë skena nderimi. 

Kur u largua eprori kufitar Sahiti u bë dhe në fytyrë, i kishte ikur gjaku. Habitej me mënyrën sesi ne e merrnim kaq pak seriozisht çdo situatë. A ishte serioze? Ndoshta jo aq saç e bënte Sahiti por nuk ishte hiç qesharake…Atë natë ndenja me mikpritësin Sahit duke i shpjeguar se ne kështu jemi, i marrim pak më lehtë situatat. I thashë: “Ndoshta është më mirë kështu sesa të panikoheshim”.

Kaloi ajo ditë e tensionuar, kaluan edhe ditë të tjera të bukura. Ditën e fundit para se të ktheheshim, vendosëm që në mëngjes të shkonim në skajin verior të Malit të Zi dhe të drekonim atje. Pastaj kthehemi në darkë në Ulqin….

U nisëm herët. Si gjithmonë u lamë, u argëtuam, dëgjuam muzikë, kërcyem, gëzuam…

Në drekë e tepruam me pije e argëtim. Orëve të pasdites u nisëm me anijen tonë për kthim. Kishim plot birra në anije për të vazhduar festën. Festonim si të çmendur në mes të një deti që nuk e njihnim, shumë larg prej destinacionit dhe mjaftueshëm larg prej vendit më të afërt ku mund të ndiheshim të sigurtë. Por asfare  ndjenim frikë a pasiguri. Muzika në kupë të qiellit, birrat lumë, kërcimi dhe hareja në maksimum. Edhe Sahiti, bznesmeni mikpritës, duket e kaloi atë hezitimin dhe pasigurinë karakteristike. Siç duket edhe ai mendoi ” tani mbaroi, nuk ka më rrezik nga asgjë”. E vetmja brengë e vogël ishte sjellja e oficerit kufirar në kthim(nëse qëllonte në turn) por ishte brengë e vogël, ai nuk mund të na pengonte për tu futur në Atdhe…

Në këtë situatë deliri kolektiv, dikush vë re se një avion po flururonte pak përmbi ne. 

Kaq deshëm!

Filloi një “komunikim” mes më të çmendurve prej nesh dhe atyre që ishin në avion. Ia bënin me dorë, bërtisnin, këndonin, bënin gjeste. Grabocka zakonisht ishte e qetë dhe nuk përzihej kur euforia kapte doza të larta. Qeshte ngapak nga larg. 

Sahiti u tmerrua!

Më thirri mua dhe më tha: “Është avion ushtarak, të lutem thuaju të rrinë urtë, të lutemmmm, nuk është momenti për skena të tilla” 

Pas pak minutash avioni humbi nga sytë. U relaksuam pak por paniku na kishte bërë të heshtur. Ndonjë fjalë që e lëshonim në formë shakaje ishte më shumë për të dhënë zemër. Kapiteni i anijes ishte i heshtur, kishim të paktën edhe një orë në det të hapur deri sa të mbërrinim në Budva!!! Vajzat ishin të tmerruara, jo më pak edhe ne.

Fjalia që na tmerroi ishte: “Ju nuk e kuptoni që ata mundet të lëshojnë një bombë mbi anije dhe askujt nuk i japin llogari? Ju nuk i njihni ata, ju lutem mos bëni shakara të tilla”. 

Ecëm nja 10 minuta. U qetësuam.

Por ishte e llogaritur. Avioni u rikthye. Këtë herë shumë më ulët dhe më kërcënues. Ishte i njëjti avion, nuk kishte arsye të rikthehej! Fluturonte ulët, tashmë na shihnin mirë sa ishim dhe sa të frikësuar ishim…Në anije nuk pipëtinte asgjë, zhurma e avionit të shurdhonte. Mendova se shkuam. Askush nuk kishte kurajo të bëzante. U bëmë esëll. Avioni ikte dhe rikthehej çdo 5 minuta. Ishte e qartë se po tallej me frikën tonë. Po përpiqej ta shtonte dozën e frikës dhe po ia arrinte qëllimit. E bëri 4-5 herë ardhje-ikjen, gjithnjë e më ulët, gjithnjë e më frikshëm. Derisa u ngrit lart dhe u zhduk…

Për një orë nuk e kemi marrë veten nga tmerri. Kush mund të besonte? A ishte kjo një lojë, kërcënim a ça dreqin ishte…

Mbërritëm në Sveti Stefan të tmerruar dhe ankoruam anijen në një det përplot gjemba. E pësova vetë se u hodha që nga larg bregut nga padurimi…

Ajo ditë ishte ndër më të frikshmet që kam përjetuar. Ishte data 11 Korrik 1995, si sot 28 vite të shkuara. 

Vetëm 300 kilometër më larg, serbët kishin bërë masakrën më të madhe të historisë moderne të Evropës: kishin masakruar 8000 muslimanë në Srebrenicë. 

Por këto i morëm vesh më vonë…

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *