Nga Enver Bytyçi
Ministrja e Drejtësisë së Republikës së Kosovës prej dy ditësh është thirrë me orë të tëra në Prokurorinë e Posaçme, sepse ajo deklaroi se shërbimi sekret i Serbisë ka gisht në arratisjet prej burgjeve të Kosovës të eksponentëve të tillë, si Hajrizi. Këtë të fundit nuk e zuri në gojë, por hamendësohej se aty ishte fjala.
Më ka bërë përshtypje kjo thirrje e saj në prokurori, sepse zonja Haxhiu nuk ka shkelur asnjë ligj me deklaratën e saj. Ajo është ministre, politikane dhe deklaratat politike nuk bëhen objekt hetimi si në GESTAPO.
Kam përshtypjen se thirrja e ministres Haxhiu në Prokurorinë e Posaçme ishte për karshillëk institucional. “Ti je ministre e Drejtësisë, por drejtësinë të mësojmë ne ty si ta bësh!” Ky është mesazhi publik që u dha në këtë rast. Rivalitet dhe ushtrim force se kush është kush e kush bën çfarë.
Megjithatë është për t’u përshëndetur qetësia dhe maturia e zonjës Haxhiu. Ajo nuk kundërshtoi e as nuk reagoi. Respektoi pikë për pikë rendin juridik dhe rregullin publik. Nuk u dha shans prokurorëve që të bëjnë spektakël konflikti midis institucioneve!
Ishte kjo një demonstrim i mrekullueshëm i demokracisë në Kosovë. Në Shqipëri do të kishte plas sherri midis institucioneve!