Nga Gjergj Erebara 

Dy partitë politike kryesore të vendit, Partia Socialiste në qeveri dhe Partia Demokratike në opozitë, duket se kanë rënë dakord që të mbajnë me lista të mbyllura shumicën dërrmuese të mandateve të deputetëve edhe në zgjedhjet e ardhshme për parlament të parashikuara për vitin 2025, ndërsa votuesit e secilës parti do të mund të zgjedhin me votë pëlqyese më pak se një të tretën e kandidatëve.

PD dhe PS ranë dakord që të ndryshojnë Kodin Zgjedhor të vendit, një kompromis që pritet të materializohet nesër në seancë plenare. Mes të tjerash, palët ranë dakord që “një e treta” e listave të kandidatëve të jetë “e fiksuar” pra e mbyllur ndërsa për dy të tretat e listës votuesve të secilës palë do t’i jepet e drejta të japë një votë pëlqyese. Por nëse merren parasysh rezultatet zgjedhore të vitit 2021, ky lloj formulimi do të thotë se mbi dy të tretat e deputetëve të zgjedhur do të jenë në këto listat e mbyllura ndërsa më pak se një e treta, në listat e hapura.

Formula thotë se në një zonë zgjedhore, fjala vjen, në Kukës, ku dalin tre mandate deputetësh, secila parti do të përcaktojë një të tretën, pra 1 mandat, si vullnet i partisë ndërsa mandati i dytë mundet t’i takojë zgjedhësve për ta pëcaktuar. Në zgjedhjet e vitit 2021, në Kukës Partia Demokratike fitoi 2 mandate ndërsa Partia Socialiste fitoi 1 mandat. Nëse ky rezultat do të jetë në vitin 2025, apo nëse, fjala vjen, PS merr 2 mandate dhe PD, 1, atëhere dy deputetë të zgjedhur do të jenë caktuar nga partia ndërsa 1, nga zgjedhësit. Situata ndryshon në rast se në një qark si Kukësi, një forcë e tretë politike fiton një mandat. Në këtë rast, të tre kandidatët e zgjedhur do të jenë caktuar nga partia përkatëse ndërsa zgjedhësit me votën e tyre preferenciale do të dërgojnë në parlament zero kandidatë fitues.

Në të gjitha qarqet e tjera është një situatë e ngjashme. Fjala vjen, në Shkodër, 11 mandate deputetësh u ndanë në vitin 2021 në 5 mandate PD, 2 PS, 2 PSD dhe 1 LSI. Në rast se në zgjedhjet e shkuara do të ishte votuar sipas formulës së sotme për listat, i vetmi deputet që do të zgjidhej me votë pëlqyese nga zgjedhësit do të ishte deputeti i pestë i Partisë Demokratike. Sepse pjesëtimi i 11 mandateve totale me tre jep shifrën 3.66 dhe projektligji i propozuar për kodin zgjedhor përcakton se në këtë rast, numri i mandateve të caktuara nga partia rrumbullakoset në 4. Kjo do të thotë se 2 mandatet e PS, 4 mandate të PD, 2 mandate të PSD dhe 1 mandat të LSI caktohen nga partia.

Llogaritje të BIRN të bëra me rezultatin zgjedhor të vitit 2021 dhe me formulën e re të listave tregojnë se mbi 100 deputetë nga 140 mund të dalin nga listat e mbyllura ndërsa pjesa tjetër, nga pëlqimet e zgjedhësve.

Listat e mbyllura të kandidatëve u caktuan për herë të parë në Shqipëri nga marrëveshja mes Edi Ramës dhe Sali Berishës në vitin 2008. Listat e mbyllura nuk  janë automatikisht të këqija në vetvete por eksperienca ka treguar se, për shkak të mungesës së kulturës demokratike brenda partive të mëdha apo të vogla shqiptare, deputetët e zgjedhur janë rezultat i vullnetit të kryetarit përkatës dhe jo i anëtarësisë së partisë, duke e bërë parlamentin një institucion të mbushur me të emërtuar të kryetarit dhe jo me deputetë përfaqësues të popullit.

Sistemi është cilësuar si një “republikë kryetarësh” në të cilën, parlamenti ka humbur funksionin e vet kushtetues si mbikëqyrës, kontrollues dhe kufizues i pushtetit ekzekutiv, duke u kthyer në një zyrë noteriale të kryeministrit.

Në zgjedhjet e vitit 2021, pas protestave të shumta në lidhje me këtë sistem, Edi Rama ra dakord që të krijojë një sistem vote pëlqyese, e cila në praktikë prodhoi vetëm tre mandate deputetësh në të gjithë vendin të dalë nga pëlqimet e zgjedhësve ndërsa 137 të tjerët dolën sërish nga vullneti i kryetarit. Kjo për shkak se kandidatët e listës humbëse do të duhet të thyenin “herësin”, një shprehi matematikore që nënkuptonte nevojën për të fituar mbi 10 mijë vota pëlqyese personale, për të mundur të zëvendësonin një nga kandidatët e paracaktuar si fitues.

Burimi: Reporter.al

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *