Nga Ermal Mulosmani

Përfundimisht u vendos, populli nuk ka të drejtë të zgjedhë deputetë por lista.

Me një mekanizëm fyes, përçmues, përtallës. Përmendet togfjalëshi: “janë mbyllur vetëm për 1/3 e listës së deputetëve” si një manipulim për veshët e naivëve.


Para ca kohësh shkruaja shumë për votën e hapur si një mjet për evidentimin e politikanëve të ardhshëm meritorë që, sadopak, merrnin nga autoriteti total i Kryetarit të Partisë. Për shembull nëse listat janë totalisht të hapura dhe një nga deputetët merr vota të shumta në popull, le të themi 30,000 vota në një qark, ai konfirmohet si figurë autoritare në parti. Jo nëse e ka emrin Orlando Rakipi sigurisht. Por “Po” nëse quhet Luçiano Boçi ose Fatmir Xhafa.

Sa më shumë të ketë nga këta “po”-të, pavarësisht se në nisje janë propozime të kryetarit në listën shumëemërore, arrigia e kryetarit ndjehet pak e kërcënuar. Ky është fillimi i krijimit të polit konkurent brenda partisë e për rrjedhojë cënon qëllimin për të cilin u amendua Kushtetuta e 2008-ës që ishte: Krijimi i një sistemi ku kryetari është autoriteti absolut.

Pra lista e hapur ishte një mekanizëm i pëlqyeshëm për disa kandidatë dhe sidomos për njerëzit. Fundja çdo njeriu që voton i pëlqen më shumë të përzgjedhë një emër nga tufa sesa të votojë tufën e kryetarit.

Lulzim Basha ka qenë një ndër armiqtë më të mëdhenj të votimit me lista të hapura. Pasuesit e tij në media e mbronin me idenë se vota e hapur sjell kriminelët, dallkaukët, të korruptuarit, mujsharët dhe përzë akademikët, profesionistët e mirë, të urtët. Kaq bardhezi shihej. Të bënte të dukej vetja një zëdhënës i mafias apo krimit që po kërkoje “vota të hapura”, një dredhi për të sjellë mafian në parlament. Askush prej tyre nuk shkonte përtej këtij gjykimi kaq skematik, dikotomik.

Madje ta thonin edhe miqësisht, nën zë: “si nuk e kupton që ata që mbrojnë listat e hapura janë njerëz të një tjetër kategorie. Ne duhet të mbrojmë kapacitetet intelektuale të partisë”.

Një mik simpatizant i Partisë Socialiste më tha: “Po të jetë me lista të hapura ku do shkojë Mimi Kodheli”?

“Në të sëmës” – i thashë. Ai, djalë i ri po namuzli, u step nga përgjigja e papritur. Si mundet të flisja kaq keq për kapacitete të tilla intelektuale? Ja, kështu të vënë në sedër 😊. Apo s’vihem unë nga Mimët dhe Oerdët.

Unë e shoh listën e hapur si limfën e politikës. Prej tyre dalin njerëz me brumë politik të fortë e autoritet publik që mundet të krijonin një pol konkurence për kryetarin e partisë. Me të vërtetë listën e bën kryetari dhe qenia në listë varet nga vullneti i tij. Por, a ka kryetar që mundet të heqë nga lista e gjatë e kandidimit një emër të spikatur të partisë? Ai mundet ta vërë në një numër të poshtëm por nuk mundet ta shpërfillë totalisht. E, në këtë moment futet në lojë mekanizmi i listës së hapur.

Logjika e listave të mbyllura e kishte burimin te kryetari i partisë. Ai donte ekspertë euroatlantikë, servilë e puthadorë që t’i kishte nën kontroll total. Sa më pak gjëra jashtë kontrollit.

Hapjen e listave e nxori në skenë Edi Rama në 2020-ën kur zhduku koalicionet parazgjedhore. Aty me një retorikë demokrati dhe një prapamendim ultra autoritari, i hapi listat e deputetëve për vetëm 5 ditë. Pastaj i mbylli njëherë e përgjithmonë. Asokohe Luli që i kishte sulmuar promovuesit e listave të hapura si populistë e mafiozë, duke parë qëllimin e vërtetë të Ramës, kërkoi hapje 100% të listave.

Por ishte vonë. Ustai i hapi të enjten e i mbylli të hënën; i hoqi vagonat trenit opozitar dhe i tha hajde matemi tek e tek. Aty morën fund zgjedhjet. Pjesa tjetër është histori.


Që mos zgjatem, Oerd Bylykbashi tha diku që tani ¾ janë lista të hapura. Hahahaha, çfarë ironie! Ja pse.

Qarku Tiranë ka 36 deputetë. Secila Parti ka të drejtë të dorëzojë një listë të mbylur me deputetë për 1/3 e deputetëve të qarkut dhe të hapur për pjesën tjetër (36 kandidatë, bashkë me zëvendësuesit).

Le të rrimë te PD. Në viti 2021 PD mori 15 deputetë. Le të supozojmë se sivjet merr 16 deputetë, 12 i cakton Berisha me firmë. Ata janë të lirë të shkojnë me pushime në Maldive apo Karaibe, në përfundim të zgjedhjeve do të jenë deputetë. Është Oerdi, Kaso, Muli e këta superekspertët.

Për 4 deputetët që mbeten, vetëm për këta, luftojnë 36 kandidatë, të gjithë dytësorë. Të copëtohen ndërkohë që këta 12-shit e parë shullehen në rrezet e bregdetit. Secili prej këtyre 36 gjynahqarëve sjell vota në hambarin ku do hanë 12-shja (se numri 12 përkon edhe me apostujt e Krishtit), janë asistentët e partisë.

Ja, kjo është lista e hapur që thotë Oerdi. Një maskarallëk dhe tallje publike. E gëzofshi. Unë kurrë nuk do ta votoj një Parti që ka qenë pjesë e kësaj marrëveshje uzurpuese. Një parti tjetër, kushdoqoftë.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *