Shqipëria renditet mes 10 vendeve të para në Europë për numrin e vrasjeve me dashje në raport me popullsinë, bazuar në të dhënat e publikuara nga Eurostat.

Në vitin 2024, në vend u regjistruan 41 vrasje me dashje. Në raport me popullsinë, kjo përkthehet në rreth 1.71 vrasje për 100 mijë banorë, duke e renditur Shqipërinë në vendin e tetë në Europë.

Para saj qëndrojnë vende si Lithuania, Latvia, Turkey, Montenegro, Estonia, Iceland dhe Finland.

Krahasuar me vitin 2023, kur norma ishte 1.27 për 100 mijë banorë, vihet re një rritje e ndjeshme. Kjo lidhet si me shtimin e numrit të vrasjeve nga 35 në 41, ashtu edhe me ndryshimin e bazës së popullsisë pas Censusit të ri, që e llogarit atë në rreth 2.39 milionë banorë.

Rekordi më i lartë historik për Shqipërinë mbetet viti 2016, me 71 vrasje, ose 2.46 për 100 mijë banorë.

Panorama europiane

Në nivel të Bashkimit Europian, sipas Eurostat, gjatë vitit 2024 janë regjistruar gjithsej 3,953 vrasje me dashje, një rritje e lehtë prej 1% krahasuar me vitin 2023. Megjithatë, në krahasim me vitin 2014, numri i tyre ka rënë me rreth 11%.

Gjatë periudhës 2014–2024, ky tregues ka pësuar luhatje. Kulmi u arrit në vitin 2015 me 4,616 raste. Më pas, numri i vrasjeve ra gradualisht deri në vitin 2019, kur arriti në 3,735 raste. Në vitin 2020 pati një rritje të lehtë, ndërsa në vitin 2021 u regjistrua niveli më i ulët i dekadës. Pas kësaj periudhe, trendi ka qenë sërish në rritje të moderuar deri në 2024.

Në përgjithësi, normat më të larta të vrasjeve për 100 mijë banorë janë të përqendruara në vendet baltike dhe disa vende të Ballkanit. Në vendet baltike si Lithuania, Latvia dhe Estonia, faktorët lidhen me trashëgiminë e tranzicionit, pabarazitë sociale, konfliktet ndërpersonale dhe konsumin e alkoolit.

Ndërkohë, në Ballkan – përfshirë Montenegro dhe Shqipërinë – ndikojnë më shumë konfliktet personale dhe familjare, çështjet pronësore, gjakmarrja, qarkullimi i armëve dhe dobësitë në zbatimin e ligjit, si dhe prania e krimit të organizuar.

Në vende si Finland apo Iceland, megjithëse normat mund të duken më të larta, ato shpesh lidhen me numrin e vogël të popullsisë dhe me strukturën e rasteve, që zakonisht janë konflikte mes personave që njihen dhe shpesh të lidhura me konsum alkooli.

Në anën tjetër të spektrit janë vende si Italia, Zvicra, Holanda apo Portugalia, ku normat e vrasjeve janë nën 0.7 për 100 mijë banorë, falë institucioneve më të forta, kontrollit më të mirë të armëve dhe sistemeve më të zhvilluara sociale./ Monitor

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *