Peruxhia-Juventus, ndeshja e fundit e Serisë A në vitin 2000 dhemb shumë për tifozët juventinë.
Zonja e Vjetër u mund 1-0 në një fushë të kthyer në moçal nga shiu ndërsa titullin e fitoi Lacio.
Debatet për atë ndeshje nuk kanë reshtuar asnjëherë ndërsa së fundmi ish-sulmuesi i Peruxhias, Aleksandro Meli dha detaje që sipas tij provojnë përpjekjet e drejtuesve të dy skuadrave për të paracaktuar rezultatin. Meli theksoi në podkastin “Non e piu domenica” se Zinedine Zidane dhe Edgar Davids nuk kishin pranuar asnjë kërkesë të tillë.
“Ne ishim të shpëtuar, nuk kishim asgjë çfarë t’i kërkonim kampionatit dhe vinim nga një javë e mbushur me polemika për golin e Kanavaros ndaj Parmës. Ata të Juventusit ishin të shoqëruar me polici si të ishin të dënuar. Gauçi (presidenti i Peruxhias asokohe) ishte i lidhur me Lacion dhe Bankën e Romës. Gjatë javës na tha të bënim gjithçka për të fituar. Do të na jepte edhe premio në rast fitoreje, ndërsa nëse do të humbnim, do na çonte për grumbullim në Kinë.
Në dhomat e zhveshjes u munduam të binim dakord me lojtarët e Juventusit për një barazim, me ata që kësisoj do të shkonin të luanin një ndeshje play-off me Lacion. Bardhezinjtë, sidomos Zidan, Davids e Montero, nuk pranuan propozimin. Ishte një bashkëbisedim i fshehtë mes lojtarëve më të rëndësishëm… Luajtëm një ndeshje të parregullt që mbaroi si mbaroi për një episod.” – tha Meli.